Bashkia e Delvinës iu shtua zonave me furnizim 24 orë ujë të pijshëm, pas dekadash jo vetëm të mungesës së ujit, por edhe të ndotjes së tij nga një rrjet totalisht i amortizuar.
Investimi për rinovimin e rrjetit të ujësjellësit ka realizuar 24 kilometra rrjet shpërndarës, së bashku me lidhjet e reja për familjet.
“Ka patur vetëm 5 deri në 6 orë në ditë. Kjo është faza e parë që mbulon 75 % të bashkisë, mbetet edhe një pjesë shumë e vogël. Është vetëm një lagje në periferi të qytetit për të cilën e kemi gati projektin”, – u shpreh kryetarja e Bashkisë së Delvinës, Majlinda Qilimi, gjatë vizitës që Kryeministri Rama bëri në ujësjellësin e ri.
“Depoja prej 900 metër kub është e ndarë në dy dhoma, për furnizimin 24 orë të popullatës. Kemi ndërhyrë me rehabilitim rrjeti dhe lidhje të reja familjare. Projekti mbulon nevojat për rreth 10, 000 banorëve të qytetit të Delvinës,” – shpjegoi inxhinieri i zbatimit të projektit, ndërsa shtoi se në qytet kishte mbi 50 vjet që nuk ishte ndërhyrë në përmirësimin e rrjetit të furnizimit.
Kryeministri Rama tha se jo vetëm në Delvinë, por furnizimi me ujë 24 orë do të zgjidhet përfundimisht në të gjitha bashkitë e vendit, brenda vitit 2022. Kështu Rama doli me një datë konkrete për ujë 24 orë në vend, pasi në fillim të fushatës kishte thënë brenda mandatit të mundshëm deri në 2025.
“Kjo ishte një torturë shumëdekadash që tashmë mori fund. Këtu dhe në shumë pika të tjera kemi 24 orë ujë, kemi rreth 120 kantiere në punë, drejt përfundimit ose në proces. Brenda 2022, do kemi ujë 24 orë për të gjitha zonat e banuara urbane dhe gjithë fshatrat me intensitet banimi. Do jetë një çështje plotësisht e mbyllur, nuk do jetë më temë debatesh dhe fushatash dhe kjo është një arritje domethënëse”, – u shpreh Kryeministri.
/noa.al