Në Shqipëri, humbja e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 Prillit, ka nxitur reagimet e para nga brenda saj.
Anëtari i Kryesisë, Fatbardh Kadilli kërkoi sot largimin e menjëhershëm nga funksionet drejtuese dhe dorëheqjen e kryetarit Lulzim Bashës.
Ai i bëri thirrje kryesisë së partisë që të mblidhet sa më shpejt dhe të përcaktojë modalitetet e garës për lidershipin e ri, ndërsa shpalli dhe kandidimin e tij për drejtimin e Partisë Demokratike.
Në një bisedë më Zërin e Amerikës ai flet për nevojën e një opozite të re, e cila shkon përtej PD dhe shtrihet në të gjithë shoqërinë shqiptare për një lëvizje të gjerë popullore.
Cilat janë arsyet që iu shtyjnë të kërkoni dorëheqjen e z. Basha?
Kadilli: Së pari, janë arsye politike. U provua që është një projekt i pasuksesshëm, nuk prodhoi sukses për demokratët, nuk arriti t’i shpërblejë demokratët për mbështetjen e pakursyer e të përhershme në këto 8 vjet, ndaj të marrë përgjegjësitë si kryetar. Është kryetari që ka marrë mbështetje të pakursyer nga demokratët.
Së dyti, arsye etike. Në politikë ne jemi për një kauzë, një për projekt. Nëse ky projekt nuk realizohet, duhet që brenda etikës normale të politikës, por edhe shoqërisë, të mbajë përgjegjësi kryetari.
Kemi dhe një standard në PD, ish-kryetari i PD, z. Berisha, pas h umbjes, hapi procesin e zgjedhjes, për të krijuar një lidership të ri. Është një detyrim jetik, që vendi të ketë opozitë. Dhe ne kemi detyrën si PD të krijojmë opozitën e re. Nuk mund të h umbim kohë të presim sa kohë do të marrë reflektimi i kryetarit ekzistues, apo i forumeve të tjera. Kem traditën e para katër vitesh, që menjëherë pas zgjedhjeve, kemi shkuar brenda mandatit të kryetarit në zgjedhjet për kryetarin e ri. Opozita duhet të riorganizohet që sot për të qenë gati që në shtator të fillojmë me një opozitë të re.
Çfarë nënkuptoni kur thoni ‘një opozitë të re’?
Kadilli: Një opozitë e re, e cila mobilizon të gjitha energjitë dhe nuk lë jashtë mobilizimit asnjë individë, e jo më fraksione, që e kapërcen PD dhe që shkon përtej, në gjithë shoqërinë shqiptare. Një lëvizje e gjerë popullore që të shndërrojë pakënaqësinë në energji ndryshimi. Ne nuk e bëmë dot në këto 8 vjet. Ne nuk mund të fshihemi duke anatemuar vetëm kundërshtarin. Kundërshtarin nuk e zgjedhim. Ne duhet të punojmë fort.
Ju keni shprehur ambicien për të kandiduar për kryetar të PD, sa të vështirë e shihni këtë?
Kadilli: Çdo ringritje është e vështirë dhe kam bindjen që do të gjej mirëkuptimin e demokratëve, së pari për një proces të gjerë konsultimi, bashkëbisedimi, për ta ringritur PD, jo thjesht si një forcë që synon me kalkulime për të ardhur në pushtet, por si forca më e votuar në vend, që të marrë përgjegjësitë e qeverisjes. Kjo forcë duhet t’i rikthehet asaj kulture opozitare që mobilizon cdo individ, cdo shtresë të shoqërisë dhe që siguron qeverisje të mirë, me integritet, larg cdo vesi të politikës së deri më sotme./VOA