Britania e Madhe po përgatit një ligj i cili detyron kompanitë e duhanit të paguajnë rreth 47 milion euro në vit për pastrimin e mbeturinave të hedhura.
Nisma vjen pasi në shumë mjedise publike shihen bishta cigaresh të flakura nga konsumatorët.
“Ne po përgatisim opsionin që kompanitë e cigareve të marrin përgjegjësinë e plotë për dukurinë e mbeturinave të prodhuara nga produktet e tyre,” tha nënsekretarja e Mjedisit Rebecca Poe, raporton noa.al.
Ministria përmendi një hetim që tregon se mbeturinat e lidhura me pirjen e duhanit janë forma mbizotëruese e mbeturinave në Angli.
Bishtat e cigareve zënë 68% të të gjitha llojeve të mbeturinave dhe këto u gjetën në 80% të vendeve të inspektuara, sipas Reuters.
Bishtat e cigareve çlirojnë nikotinë toksike dhe elementë të tjerë ndotës në mjedis. Për më tepër, filtrat plastikë qëndrojnë në mjedis për dekada duke shkaktuar ndotje të vazhdueshme të mjedisit me rrezik evident për të gjithë qytetarët.
Po në Shqipëri, a do të vihen në jetë nisma të tilla? Duke qenë se të gjitha kompanitë që tregtojnë cigare janë të huaja dhe janë prezentë edhe në Shqipëri, a nuk duhet të paguajnë për dëmin që shkaktojnë? /noa.al