Vetëm ditën e sotme janë kryer plot 21,536 vaksinime në të gjithë territorin shqiptar, kundër koronavirusit SARS-CoV-2.
Noa.al mëson se në total janë 119,321 vaksinime të kryera që nga fillimi i vaksinimit anticovid në janar të këtij viti.
Prej tyre, 100 mijë të vaksinuar janë deri sot. Kurse pjesa tjetër 19.321 njerëz kanë marrë edhe dozën e dytë të kësaj vaksine.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, tha se synimi fillestar ishte midis 12 deri 15 mijë vaksinime ditore, por me tejkalimin në më shumë 20 mijë, mund të arrijë edhe më shumë.
“Po vijojmë në të gjithë qytetet dhe në fshatra, në qendra shëndetësore dhe qendrat e vaksinimit të oërqëndruar. Në të gjithë vendin vetëm në dy ditët e para të vaksinimit masiv janë kryer mbi 30 mijë vaksinime. Në total bashkë me dozat e dyta sot shkojmë në mbi 119 mijë vaksinime, nga dita e parë që kemi filluar vaksinimin”, tha Manastirliu.
Kryeministri Edi Rama, pasi pa nga afër vaksinimin në rajonin e Lezhës tha se objektivi është të arrihen deri në 30 mijë vaksinime në ditë, me qëllim përmbylljen e vaksinimit për të moshuarit sa më parë.
“Ne në fakt tani që kemi siguruar sasitë, me 20 mijëshin e arritur dje, jemi vetëm në fillim. Edhe mund të shkojmë lirshëm në 30 mijë në ditë. Që do të thotë që në një kohë shumë më të shpejtë se sa dhe kishim parashikuar, ne mund të bëjmë dozën e parë masivisht”, nënvizoi Kryeministri Edi Rama.
Ministrja e Shëndetësisë theksoi se në gjithë vendin janë angazhuar 1100 vaksinatore për të arritur sa më parë targetin dhe për ta tejkaluar atë. Procesi i vaksinimit ka vijuar në të gjithë vendin duke u shtrirë në fshatra dhe qytete, me qëllim intensifikim e vaksinimit për të moshuarit mbi 70 vjeç. /Noa.al