Kryeministri Edi Rama tha sot se “lista e opozitës me 17 emra është fakti i një çoroditje dhe çorganizimi dhe tallje brenda për brenda”.
Në takimin që zhvilloi sot në Vlorë, me kandidatët për deputet të PS-së, për qarkun Vlorë, Rama vuri në dukej se në listën e kandidatëve për deputetë, PD-ja nuk ka asnjë banor nga Vlora.
“Asnjë banor Vlore në skuadër”- u shpreh Rama.
“E kam thënë dhe e përsëris si mundet t’i ofrohet Vlorës, Leskua si komandant një njeri që është i njësuar plotësisht me alkoolin me degradimin me shpërfytyrimin e personit publik. Një njeri i cili, si kryetar i KLSH-së zhvillonte mundje të lira nëpër lokale lartë e poshtë nëpër Shqipëri. Një njeri që nuk ka lidhje me Vlorën dhe me të ardhmen e Vlorës, por vetëm me një nga fosilet e kësaj ekspozite fosilesh që ka prezantuar PD dhe akoma më keq, si mund t’i thuhet Vlorës votoni ju, për njerëz që nuk banojnë fare në Vlorë”, tha Rama.
“Kush është deputeti që do të rrijë këtu në Vlorë dhe do të dëgjojë hallet e njerëzve. Kush do të jetë deputeti që do të rrijë këtu në Vlorë dhe do të përfaqësojë, pikërisht atë urë, që ne e kemi forcuar edhe më shumë mes Tiranës dhe komuniteteve në Vlorë dhe të gjithë Shqipërinë. Asnjë banor Vlore në skuadër, ndërkohë që disa prej tyre janë futur atje tek 17 –ta për t’ju thënë se jeni edhe ju. Këto janë të rëndësishme për të bërë një dallim edhe më të madh. Por jam i bindur që edhe sikur lista e tyre të ishte pak më serioze, në Vlorë nuk duhet votuar majtas djathtas. Në Vlorë duhet votuar drejtë që do të thotë të votosh për Vlorën. Ne jemi mekanizëm nuk jemi qëllim. Vlora është qëllim. PS është mekanizëm për të realizuar qëllimin dhe vota jepet për qëllimin duke vënë në funksion të qëllimit mekanizmin e duhur. Si mund të merret ajo makinë pa rrota, që kanë sjellë këtu me ngjyrë blu për të vazhduar këtë rrugëtim në një moment kaq deciziv për vendin në përballje me pandeminë, me tërmetin dhe pasojat e tij dhe në kërkim të progresit të vazhdueshëm kur s’ka kohë për pushime asnjë sekond, dhe jo më për të ngecur në llucë e për të lënë kohën të na marri përsëri përpara. Në vend që ne si shoqëri të ecim me kohën”- deklaroi kryeministri./atsh