Loading...

Partia Socialiste Evropiane letër Ramës: Ke treguar lidership të jashtëzakonshëm

Sergei Stanishev, President i Partisë Socialiste Europiane, i ka dërguar një letër kryeministrit Edi Rama, ku i shpreh mbështetjen Partisë Socialiste, në prag të zgjedhjeve të 25 Prillit.

“Këto zgjedhje kanë rëndësi të madhe për rrugën e Shqipërisë drejt Europës, për vijimin e reformave dhe të rimëkëmbjes ekonomike pas pandemisë, si dhe për rindërtimin pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019”, lexohet në letër.
Letra e plotë:

I dashur Kryeministër, i dashur Edi!

Shpresoj që ky mesazh t’ju gjejë shëndoshë e mirë ju dhe familjen tuaj.

Teksa po i afroheni zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit, do doja t’ju shprehja ju dhe simotrës sonë, Partisë Socialiste të Shqipërisë, një mesazh të ngrohtë mbështetjeje.

Këto zgjedhje kanë rëndësi të madhe për rrugën e Shqipërisë drejt Europës, për vijimin e reformave dhe të rimëkëmbjes ekonomike pas pandemisë, si dhe për rindërtimin pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019.

Në këto tetë vite, Partia Socialiste dhe ju personalisht keni treguar lidership të jashtëzakonshëm në drejtimin e një rruge të guximshme drejt reformave të thella e të pakthyeshme, veçanësisht në sistemin e drejtësisë. Reformat po japin fryte: ju keni filluar tashmë të rindërtoni një sistem drejtësie të bazuar në integritet dhe profesionalizëm, duke u bërë kështu shembull për të gjithë rajonin e më gjerë.

U ndjeva shumë i lumtur kur pashë që keni mbledhur një ekip plot energji dhe me një larmi kandidatësh për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke u mbështetur shumë te gratë dhe të rinjtë. Besoj se këto dy forca të fuqishme do të kontribuojnë në fitoren elektorale më 26 prill, si dhe në thellimin e mëtejshëm të reformave dhe zhvillimit ekonomik të vendit në mandatin tuaj të tretë qeverisës.

Duke ju uruar suksese në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Sinqerisht i juaji,

Sergei Stanishev

President i Partisë Socialiste Europiane.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com