Loading...

Meta: Nuk kam asgjë me biznesmenët por në parlamentin e ardhshëm duhet të kemi figura më me integritet

Presidenti Ilir Meta, sot më 7 Mars, dita e Mësuesit, bëri thirrje që në parlamentin e ardhshëm të ketë sa më shumë pedagogë dhe njerëz që vijnë bota akademike, sesa biznesmenë.

“Nuk kam asgjë me biznesmenët por në parlamentin e ardhshëm duhet të kemi figura më me integritet. Sa më shumë pedagogë dhe njerëz të arsimuar”, tha Meta.

Këto deklarata Meta i bëri nga Korça, ku foli edhe për zgjedhjet e 25 prillit. Përveç sfidave politike, mbetet shqetësim situata rreth pandemisë.

Presidenti Meta dha mendimin e tij për debatin, nëse të prekurit me Covid, duhet të votojnë më 25 prill apo jo.

“Vota është e drejtë kushtetuese e çdo qytetari. Pandemia të mos provojë asnjë qytetarë që të votojë”, tha Meta. Kreu i shtetit solli si shembull modelin në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, dy vende që zhvilluan zgjedhje në kushte ndoshta edhe më të vështira.

Kujtojmë se aktualisht janë rreth 35 mijë qytetarë të infektuar, që do të thotë se nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin sot, ata nuk kanë asnjë të drejtë të dalin nga shtëpia për të votuar.

Presidenti Ilir Meta e nisi sot ditën, me rastin e 7 Marsit, nga Korça ku dekoroi disa nga mësuesit më të shquar ndër vite të këtij qarku.

Kreu i Shtetit theksoi se “roli dhe figura e mësuesit janë themelore”, sidomos në këtë periudhë tejet të vështirë të pandemisë së koronavirusit.

“Për mua ishte një detyrim që sot të isha pikërisht këtu, në Korçë, në djepin e rilindjes sonë kombëtare të arsimit dhe kulturës. Ne sot kujtojmë me nderim të jashtëzakonshëm Pandeli Sotirin, Jeronim De Radën, Pashko Vason, Gjergj Fishtën, e shumë personalitete të tjera, që me vizionin e tyre, por dhe sakrificat e tyre, na dhanë gjuhën shqipe dhe arsimin tonë. Jemi sot t’iu shprehim mirënjohjen e thellë të gjithë mësuesve, edukatorëve, që punojnë sot edhe pse në kushte të vështira, për të pasur një të ardhme më të ndritur”.

“Kujtojmë plejadën e mësuesve në pension, që ja kushtuan jetën e tyre të ardhmes së ndritur të brezit të ri. Roli dhe figura e mësuesit janë themelore dhe këtë e them edhe si fëmijë i dy prindërve. Shpreh sot mirënjohjen e thellë për të gjithë mësuesit. Të gjithë mësuesit tanë, sidomos ata në zonat rurale, meritojnë një mbështetje akoma më të madhe, sa i takon infrastrukturës digjitale. Duhet të bëjmë më shumë që rinia jonë, e edukuar më së miri nga mësuesit tanë, ta ndërtojë këtu të ardhmen”, u shpreh Meta.
/NOA.al

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com