Qytetarët, të cilëve u ka skaduar karta e identitetit do të lejohen të votojnë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Zëvendës ministri i brendshëm, Julian Hodaj thotë se janë marrë masat për të shtuar zyrat ku aplikohet për karta identiteti.
“Ministria e Brendshme i ka marrë të gjitha masat, janë shtuar zyrat, janë shtuar shërbimet, për rinovimin e kartave të identitetit. Janë thjeshtuar procedurat, mjafton që me kartën e skaduar të paraqiten në zyrën e aplikimit”.
Hodaj shton se edhe qytetarët që nuk do munden të rinovojnë mjetin e identifikimit, mund të paraqiten me të vjetrin në qendrat e votimit.
“Është e rëndësishme që të marrin pjesë në zgjedhje sa më shumë zgjedhës të jetë e mundur. Të marrësh pjesë në zgjedhje është më e rëndësishme se formaliteti. Vjet ishte viti që skadoi një numër i madh kartash dhe procesi nuk eci mirë, por justifikohet dhe nga situata e pandemisë.
Edhe ky vit na pengon, por kryeministri tha që qeveria do të marrë çdo hap të mundshëm që të gjithë të marrin pjesë në zgjedhje. Zgjidhja ligjore e mundshme është shtyrja e afatit, çdo kush që ka një mjet identifikimi, qoftë ID, qoftë pasaportë do të marrë pjesë në zgjedhje. Kjo është më e rëndësishme për momentin, të gjithë të kenë të ushtrojnë të drejtët e votës”.
Sipas tij, këtë vit se do të kemi votim biometrik, me shenjën e gishtit, megjithatë pritet vendimi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. /tch