Parlamenti Evropian ka mbështetur me shumicë dërrmuese votash liberalizimin e vizave për Kosovën.
Raportuesja për Kosovën në këtë institucion, Viola Von Cramon, ka bërë të ditur se liberalizimin e vizave për Kosovën e kanë mbështetur 472 eurodeputetë.
“Në votimin plenar për raportin për Kosovën në Parlamentin Evropian, shumica dërrmuese mbështet liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe kërkon nga Këshilli i BE-së që të veprojë. 472 pro, 165 kundër dhe 41 abstenime”, ka shkruar Von Cramon.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian Viola Von Cramon tha sot se Këshilli i Bashkimit Evropian duhet që të heqë vizat për Kosovën sa më shpejt që të jetë e mundur.
Në debatin për raportin e progresit për Kosovën, Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë Veriore në PE, Viola Von Cramon tha se është momenti i fundit që Këshilli i BE-së të liberalizojë vizat për Kosovën.