Loading...

Jozefina Topalli flet për jetën private, fëmijërinë dhe karrierën e saj në politikë: ‘E laja me lot tokën kur punoja në bujqësi’

Jozefina Topalli ka folur më gjatë për jetën private, fëmijërinë dhe karrierën e saj në politikë. Ajo ka treguar se kur ishte e re, nuk i dhanë mundësinë e shkollës, pasi familja e saj kishte një emër të keq në atë kohë, kështu u detyrua të punojë në bujqësi tek stacioni i misrit.

Për të kjo punë ishte tepër e vështirë, por ishte e detyruar të bënte çdo gjë që të kujdesej për familjen e saj.

Ajo ishte pjesë e emisionit “Historia ime” në Tv Klan përballw Mirela Milorit, ku tha se karrierën e nisi tek stacioni i misrit si punëtore bujqësie.

Çfarë pune ishte?

Mbillja, rralloja, mbaja thasë që shkarkoheshin me misër, të gjitha punët e bujqësisë që kanë ciklin e vetë, nga pranvera deri në vjeshtë ishim në fushë dhe gjatë muajve të dimrit në fusnin brenda nëpër magazina për punët e tjera. Viti i parë ishte më i vështirë, kur na jepnin rreshtat për të rralluar etj etj, ato zonjat e fshatit e bënin shpejt e shpejt rreshtin dhe unë mbetesha në fund, ato ishin aq të mira sa ktheheshin me ndihmonin për të mbaruar rreshtin dhe më thoshin, hajde mos u mërzit. Ka qenë një eksperiencë që më ka dhënë mundësi për të kuptuar jetën e fshatit në atë kohë, pavarësisht se ne ishim të varfër, ata të fshatit ishin eksremisht të varfër.

Nga Shkodra vije në fshat, kjo vajza e fisshme e bukur, elegante dhe më pas shkoje atje dhe merreshe me brigadierin, si u jetua kjo?

Vitin e parë unë e laja me lot tokën ku punoja. Pastaj fillova të adaptohesha, kur nuk ke asnjë mundësi tjetër, ti je e detyruar që të bësh çdo gjë për të ndihmuar familjen. Do kujtoj një moment që më vjen të qesh tani por në atë kohë e kisha hall të madh. Kur shkova në bujqësi unë mora një kapele dhe ato më thanë hiqe kapelën, do marrësh një shami të bardhë sepse dielli të dëmton fytyrën se do punoje 8 orë aty. I thashë jo shami nuk vë në kokë, po ato gratë ishin shumë të mira, përpiqeshin që të shpjegonin se do më mbronte fytyrën. Aty refuzova dhe vazhdoja të mbaja kapelën time, e ato më shihnin me çudi.

Një ditë të bukur na tha ai që ishte brigadier, hipni në karrocë që ishte me kalë dhe do shkonim në disa parcela që ishin në një fshat tjetër. Do i binin nga qyteti për të shkuar dhe ajo ishte tmerr për mua sepse thashë do më shohin në qytet me karrocë më kalë. Thashë o zot inshallah po bie shi që të ul kapelën që mos më njohin aty. Tani më vjen për të qeshur, kur i kujtoj gjërat e tilla por ashtu ishte koha.

Më the që ka një histori të veçantë me babain tuaj, cila është?

Kanë pasur 20 vite diferencë në moshë, kur unë kam lindur dhe kam qenë e dyta në familjen tonë, babai ka qenë 54 vjeç. Babai ka lindur në Shkodër dhe shumë herët kanë shkuar dhe jetuar në Tiranë, kanë pasur një vilë sepse babai i tij ka qenë në funksione të rëndësishme. Pastaj ka shkuar së bashku me vëllezërit dhe hallat e mia të gjithë në Itali dhe kur është kthyer ka filluar punë në Bankën e Shtetit. Në 45-ën pastaj, dy xhaxhallarët e mi edhe pse ishin shumë të ri morën dënimin me pushkatim dhe babain e dënuan nga Tirana.

Pavarësisht se ishte ekonomist dhe një nga njerëzit më me integritet, u kthye në Shkodër dhe e çuan të punonte në hamall, të mbante sapunët, nuk e di se çfarë punë bëhej. Arrkat e sapunit, t’i ngarkonte, t’i shkarkonte etj. Ai nuk pranoi të martohej sepse me rrogën që kishte, donte të ndihmonte vëllezërit e tij që pastaj u dënuan burgim të përjetshëm dhe bënë nga 25 vite burg. Deri në një moment që thanë po ne u shuam si familje dhe kështu që është martuar vonë, ka pasur diferencë me nënën dhe unë kam qenë shumë e vogël kur ka dalë në pension, pastaj pësoi një paralizë, kështu që ishte nëna që i jepte kurajo, forcë.

Si u njohët me bashkëshortin?

Ne kemi qenë afër në një lagje, ne flisnim më përpara por nuk kishim asnjë gjë. Në një moment të caktuar, ai u afrua. Fillimisht isha në distancë por ne kishim edhe një lidhje tjetër familjare, kushërira e tij ishte e martuar me djalin e tezes time. Pastaj më ndërroi mendjen, është më i madh se unë, por qëndrimi i tij për të qenë i njëjtë si përpara se unë të hyja në parlament, si kur unë isha në parlament, sikurse jemi sot, ka qenë një vendim shumë i mençur.

Disa përballje shumë të forta që janë më shumë kosto personale sesa në emër të partisë, kur ktheheshit në shtëpi çfarë ju thoshte bashkëshorti jam kurioze?

Në ’98-ën kur u vra Azem Hajdari ishte një situatë shumë e tmerrshme, edhe në 2000-shin pastaj, kur Ilir Meta arrestoi Sali Berishën në mesnatë, e çoi në drejtori dhe unë isha mbas dhe përfundova në Drejtorinë e Po licisë. Nuk më është ndarë asnjë sekondë, ka lënë çdo gjë në shtëpi dhe në momentet më të vështira ka qenë bashkë me mua. Nuk hynte në zyrë për të qenë bashkë me mua, por rrinte aty dhe ndiqte çdo gjë me sy, sigurisht që nuk më ka lënë asnjëherë vetëm.

Në përballje me Ilir Metën, ka një dozë të madhe civilizimi, unë nuk besoj që çdo burrë do e përballonte me qetësi dhe mirëkuptim atë që ai ka përballuar gjatë asaj situate në më mënyrë të veçantë, kur çdo gjë thuhej në parlament dhe ndonjëherë kapërcehej, sepse mund të bëhen sulme politike dhe nganjëherë kapërcehej fjalori. Nuk them se nuk është mërzitur por ka shumë zotnillëk që e ka nga familja e tij që kanë qenë njerëz të jashtëzakonshëm. Këshilla më jep vazhdimisht edhe sot edhe në fillim. Për shembull, për çfarë të duhet, po lëre. Në fakt po ta kisha dëgjuar pak më shumë edhe ndoshta më mirë do kishte qenë për mua.

Gjatë kohës në parlament keni qenë një grua e fortë, e ashpër. Zoti Balla s’besoj që dikush tjetër t’i thotë… Atë batutën e famshme që është bërë tani, batutë… (qesh).

Nganjëherë të shet një fjali që… Unë kujtoj që kishim të ditën e buxhetit. Gjithmonë kur ishte buxheti, kishte 10 orë debat, aty kishte sulme nga të gjitha anët, që kryesisht pas kryeministrit, vinin tek unë dhe në një moment të caktuar, pas 10 orësh seancë pa u ndal, sigurisht që edhe njeriu lodhet, edhe presioni bën efektin e vetë. Por unë i them një gjë, nëse ky është mëkati im i vetëm gjatë 20 viteve, ky është një kompliment, kështu që unë e kam kapërcyer në mënyrën time./NOA.al

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com