Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Socialiste, ish deputeti Alfred Peza, thotë se ka refuzuar kërkesën e Edi Ramës që të rikandidojë për një ulëse në Parlament.
Peza, prej shumë vitesh gazetar e drejtues mediash, dhjetëvjeçarin e fundit u përfshi në PS dhe mori një mandat deputeti në Peqin ku ka origjinën e tij. Më tej ai u atakua nga mediat dhe opozita se ishte futur si aksioner me afro 1.4 miliardë lekë të vjetra në Credins Bank. Peza pohoi se ato ishin kursime në vite.
Në deklaratën që bëri sot pas një takimi me Ramën, Peza pohoi se këtë interesim, e konsideron “të posaçëm pasi nuk është në stilin e punës së tij”.
Duke deklaruar se e refuzoi këtë post, Peza shton: “Karrigia e deputetit nuk është për mua në këtë fazë të jetës dhe aktivitetit tim! Unë do të qëndroj në krah të Edi Ramës sepse besoj tek ai dhe puna e tij, pavarësisht nga pozicioni që mund të kem në raport me sfidat e maxhorancës që do të rikonfirmohet me siguri në 25 prill. Ka plot të tjerë PS, që e duan më shumë se unë dhe e bëjnë po aq mirë apo më mirë se unë punën e depuetit, kështu që më shumë kënaqësi vendin tim ia lë kujtdo prej tyre në Kuvendin e Shqipërisë”. /Noa.al/