Loading...

A do të votojnë qytetarët që do të jënë të infektuar me Covid 19, në 25 prill? Rama: Ja si do veprohet

Të gjithë personat që do të jënë të infektuar me Covid 19 në 25 prill, nuk do të kenë mundësinë të votojnë në zgjedhjet parlamentare.

Gjatë konferencës së sotme për shtyp, kryeministri Edi Rama tha edhe Shqipëria do të veprojë si të gjitha vendet e tjera dhe se personat që rezultojnë pozitivë me virus, do të qëndrojnë në shtëpi, duke theksuar rëndësinë e shëndetit në radhë të parë.

Kryeministri mohoi që dita e zgjedhjeve të ndikojë në rritjen e rasteve të personave të infektuar.

“Do bëjmë të njëjtën gjë që kanë bërë vendet e tjera. Për ata të cilët janë të testuar pozitivë dhe nuk janë negativizuar, duhet të qëndrojnë në shtëpi. E kemi parë këtë, është i vërtetë shqetësimi dhe kjo është gjëja që kanë bërë vendet e tjera. Janë të parët njerëzit që duhet të marrin përgjegjësinë për këtë. Nuk ka pasur për fat të mirë të dhëna shqetësuese post-elektorale në aspektin e influencës së shëndetit. Nuk ka pasur rritje të numrit të infektimeve. Këtë e kemi parë me shumë kujdes”, tha Rama.

Të njëjtën gjë deklaroi para pak ditësh edhe kreu i KQZ-zë, Ilirjan Celibashi, i cili shtoi se i vetmi përjashtim që sanksionon Kodi Zgjedhor ka të bëjë me qendra të posaçme votimi në burgje dhe spitale.

“Edhe kjo është çështje që ka marrë vëmendje publike dhe kam dëgjuar komente të ndryshme. Nëse qytetarët janë të pamundur për të dalë nga shtëpitë e tyre për arsyet e Covid, ne s’kemi asnjë lloj mundësie për t’ua ofruar shërbimin e votimit atje ku banojnë, – u shpreh kreu i KQZ. – I vetmi përjashtim që sanksionon Kodi Zgjedhor, ka të bëjë me qendra të posaçme që ngrihen në institucione, siç janë burgjet dhe në rast, ku ka jo më pak se 15 zgjedhës. Nëse partitë dhe Parlamenti dakordësohen, mund të bëjnë ndryshime në ligj për të gjetur zgjidhje në këtë, por e shoh të vështirë që të bëjmë një zgjidhje. Ata do vazhdojnë të ngelen pa votuar sa kohë të jetë ky kuadër”, tha Celibashi./noa.al/

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com