Loading...

Lulzim Basha prezanton programin e Partisë Demokratike për arsimin: Mësuesit do marrin 700 euro në muaj, pedagogët 900

Nën moton “Shqipëria fiton”, kryedemokrati Lulzim Basha, ka prezantuar sot programin e Partisë Demokratike për arsimin.

Në prani të ekspertëve të arsimit, nga selia blu, Basha tha se ky plan, është më i miri, duke e cilësuar arsimin si bazën dhe të ardhmen e shoqërisë.

Ai theksoi se programi do të ndryshojë sistemin aktual të arsimit. Pika e parë e planit të Bashës, është shpërndarja e teksteve falas për 350.000 nxënës.

Po kështu, ai shtoi se fëmijët e të gjitha familjeve në nevojë, do të përfitojnë paketë shkollore gjatë gjithë arsimit parauniversitar.

Basha premtoi se do të ofrojë për çdo të ri dhe çdo të rritur shqiptar deri në 35 vjeç, kurse private pa pagesë të platformës së mirënjohur amerikane “Education World Wide” për 5 gjuhë të huaja.

Kreu i demokratëve, u zotua se do të rrisë me 60% pagat e mësuesve dhe as edhe një mësues nuk do të marrë më pak se 700 euro në muaj rrogë.

Ai premtoi rritje të pagave me 50%, duke iu garantuar pedagogëve shqiptarë paga prej 900 eurosh në muaj dhe profesorëve, paga prej 1.300 euro.

“Përsëris sot angazhimin tim para studentëve shqiptarë, se me qeverinë e re të dalë pas zgjedhjeve të 25 prillit, ne do të paguajmë 10 mijë stazhe 12 mujore për studentët më të mirë çdo vit, – deklaroi kryedemokrati. – Brenda 4 viteve, çdo familje do të ketë të paktën 1 tablet apo kompjuter në shtëpi. Ne do të arsimojmë çdo fëmijë, pavarësisht statusit të tyre social, ekonomik apo aftësive të kufizuara”. /noa.al/

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com