“Dëshiroj që gjyshes t’i kthejë buzëqeshjen e humbur!” Kjo ka qenë dëshira e Deslit, 13-vjeçar, që përloti gjithë familjarët e tij.
Gjyshe Remzia, hum bi bashkëshortin para një viti dhe që prej asaj kohe nuk dilte më nga shtëpia, dëgjonte vetëm lajmet dhe nuk buzëqeshte si më parë.
Surpriza e kërkuar nga Desli emocionoi jo vetëm gjyshe Remzien, por edhe pjestarët e tjerë të familjes të cilët ishin në dijeni të dëshirës dhe u bënë bashkëpunëtorë me stafin e programit “Më thuaj një dëshirë” në Top Channel.
Në shtëpinë e gjyshes u instaluan disa kamera të fshehta dhe në ekranin e televizorit nisi të shfaqej një edicion i ‘jashtëzakonshëm’ informativ, ku nga studioja e lajmeve, Ilir Paço, bëri të ditur dëshirën e Deslit për gjyshen e tij.
Kaq mjaftoi që gjithë familja të shpërthente në lot dhe gjyshe Remzia mos të kontrollonte dot emocionet e forta.
Dëshira e Deslit u realizua plotësisht kur gjyshja doli nga shtëpia pas shumë kohësh dhe shkoi në teatrin “Skampa” të qytetit të Elbasanit, ku një grup muzikantësh mes të cilëve Desli, e emocionuan me sonatën e saj të preferuar.