Presidentja e përkohshme e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kreu i VV, Albin Kurti kanë dalë në një konferencë të përbashkët, ku kanë njoftuar bashkëpunimin për zgjedhjet e 14 shkurtit.
Drejtuesja e Lista-s, ka njoftuar se së bashku me Kurtin kanë arritur në një marrëveshje që përfaqëson vullnetin e qytetarëve kosovarë.
“Marrëveshja e arritur sot, përfaqëson vullnetin e qytetarëve të Kosovës. Bashkimin tonë që shkon përtej.. Ne do të garojmë së bashku në listat që do të flasin me zërin tuaj, do të frymojë siç frymoni ju dhe do të guxojë t’i bëjë ballë çdo sfide ashtu si ju”, ka thënë Osmani.
Sipas asaj që deklaruan në konferencën e përbashkët për shtyp, Osmani do të kandidojë në listat e Vetëvendosjes.
Sipas marrëveshjes, Kurti ka konfirmuar se do të jetë kandidat për kryeministër, ndërsa Osmani do të synojë postin e Presidentes së Kosovës.
Afati për aplikim të subjekteve politike për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 14 shkurtit, është deri të shtunën më 16 janar, në ora 18:00.
Lëvizja Vetëvendosje, deri tani nuk ka bërë koalicion parazgjedhor me asnjë nga subjektet politike. /noa.al/