Pas Partisë Demokratike, edhe Partia Socialiste ka propozuar një projekt-pilot për zhvillimin e numërimit dhe votimit elektronik në zgjedhjet e 25 prillit.
PS thekson se është dakord me kërkesën e demokratëve për aplikimin e këtij projekti në Korçë, por jo në Fier, ndërsa kërkojnë shtrirjen e tij vetëm në një pjesë të Tiranës.
Konkretisht në propozimin e socialistëve përcaktohen vetëm disa njësi administrative në Tiranë, kryesisht në zonat urbane dhe jo në ato rurale, kjo për të shmangur ndonjë problem të mundshëm prej shtrirjes së sinjalit të internetit.
KQZ ka në tryezë kërkesat nga dy partitë kryesore, të cilat ndahen deri më tani nga Fieri dhe Tirana.
Projekti pilot për teknologjinë në zgjedhje do zbatohet në 20% të zonave, pikë kjo e dakordësuar në Këshillin Politik. Por që kjo të arrihet duhet një konsensus mes palëve respektive.
Propozimi në emër të PD, që sot i është dërguar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mban firmën e Sekretarit të Përgjithshëm të selisë blu, Gazment Bardhi, ndërsa i PS-së, nga përfaqësuesi ligjor, Eridian Salianji. /noa.al/