Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka publikuar një mesazh urimi me rastin e ndërrimit të viteve, duke theksuar se viti 2020, ka patur arritje të konsiderueshme në sektorin e drejtësisë.
“Arritjet në zbatimin e Reformës në Drejtësi përgjatë vitit 2020 përpos vështirësive të hasura për shkak të pandemisë, kanë qenë të konsiderueshme në plotësimin e kuadrit nënligjor ashtu si dhe në ngritjen dhe funksionimin e institucioneve të reja të drejtësisë. Lajmi i mirë i ditëve të fundit të vitit, me plotësimin e vakancave arriti të sjellë në funksionalitet të plotë Gjykatën Kushtetuese, një sfidë e dy viteve të fundit” shkruan Gjonaj.
Ajo premton se “Mbështetja e pakursyer financiare nga Qeveria për sistemin e ri të drejtësisë, do të vijojë të jetë prioritare edhe për vitin 2021 ashtu si dhe në 2020, me qëllim konkretizimin e rezultateve të shumëpritura, si dhe arritjen e impaktit të sistemit të ri tek qytetarët.
Në vitin që po vjen, përgjegjësia më e madhe është e institucioneve të reja, të cilat duhet të japin rezultatet e shumëpritura nga qytetarët”.
Sipas ministres “lufta ndaj korrupsionit dhe promovimi i Integritetit kanë qenë prioritet i padiskutueshëm i yni gjatë vitit 2020 dhe që do të vijojnë në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar Antikorrupsion edhe gjatë 2021”. “Rezultatet në përpjekjet dhe masat e marra nga Qeveria Shqiptare në luftën ndaj korrupsionit janë evidentuar, jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe atë ndërkombëtar.
Rezultatet e arritura nga Shqipëria dhe vlerësimet e dhëna nga GRECO në muajt e fundit të këtij viti, për masat dhe rezultatet në luftën ndaj korrupsionit, kanë qënë tepër inkurajuese që na bejnë të jemi edhe më të bindur për të ecur përpara gjatë 2021”, theksoi ministrja.
“Funksionimi i rrjetit antikorrupsion në të gjitha agjencitë, do të japë vitin që vjen rezultatet shumë të dëshiruara në luftën ndaj korrpsionit. Me gjithë përpjekjet tona gjatë këtij viti, kemi hedhur bazat e standarteve më të mira lidhur me integritetin e administratës publike, duke pilotuar planet e integritetit për herë të parë në Ministrinë e Drejtësisë dhe që do të japë frytet e saj gjatë vitit që vjen” tha Gjonaj.
“Zbatimi i Reformës në Drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe respektimi i të drejtave të njeriut si prioritetet kryesore të Kapitullit 23 për Integrimin Evropian, do të vijojnë të jenë prioritete për Ministrinë e Drejtësisë gjatë 2021 si institucion lider, jo vetëm për të përmbushur agjendën për Integrimin Evropian, por edhe për të garantuar qëndrueshmërinë e reformave tepër të rëndësishme në forcimin e shtetit të së drejtës.
Për herë të parë gjatë vitit 2020, Shqipëria ka caktuar vëzhguesin e saj në Agjensinë e Bashkimit Evropian për të drejtat themelore dhe po ashtu për herë të parë, arritëm të përfaqësoheshim me prokurorin ndërlidhës në Eurojust, në zbatim të marrëveshjes së ratifikuar tashmë”,- bën me dije ministrja Gjonaj.
“Kodi i ri penal një ndër objektivat e vitit 2020, do të vijojë gjatë vitit 2021, ku punës së grupit të ekspertëve do t’i bashkangjiteti stafi i Ministrisë së Drejtësisë për të përfunduar institucionalizimin e draftit final të Kodit të ri penal. Kodi i ri penal i shumëpritur nga të gjithë aktorët e sistemit të drejtësisë do të jetë një ndër projektet më të rëndësishme gjatë vitit 2021, për të sjellë një kod të ri penal të qëndrueshëm dhe të jetë në përafrim të plotë me standartet dhe direktivat e BE-së”,- thekson ministrja e Drejtësisë.
“Një vit i mbushur me shumë sfida ashtu si dhe me shumë arritje, nuk do të ishte e mundur pa sakrificën, angazhimin, këmbënguljen dhe profesionalizmin e të gjithë punonjësve që çdo ditë me krenari identifikohen me logon e Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve të saj të varësisë, të cilët i vlerësoj dhe respektoj fort. Për ata dhe gjithë shqiptarët kudo janë, uroj Gëzuar 2021 dhe gjithçka të mirë për familjet e tyre”, përfundon Gjonaj përshëndetjen e saj.
