Kryeministri Edi Rama kërkon të fitojë një mandat tjetër qeverisës ndërsa kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha garon për mandatin e parë.
Sipas Profesorit Përparim Kabo, asnjë nga kandidatët kryesorë për kryeministër nuk meriton të fitojë zgjedhjet e 25 prillit, ai sugjeron një zgjidhje tjetër.
“As Rama 3, as Basha 1. Në gjykimin tim, Shqipërisë do t’i duhet një koalicion qeveritar drejtues i përbërë vetëm nga teknokratët. Forcat politike që ata drejtojnë janë tejet të konsumuara. Nuk mund të ndryshojnë atë realitet që ata vetë e kanë krijuar”, thotë Kabo.
I pyetur nëse duhen zgjidhje apo zgjedhje apo zgjedhjet prodhojnë edhe zgjidhje, Profesori përgjigjet:
“Shqipërisë i duhen zgjidhje, por në një sistem demokratik, siç është demokracia pluraliste kjo bëhet me ndryshimin e forcave politike përmes zgjedhjeve. Këto zgjedhje të shikojmë se çfarë do sjellin. Nëse do të ketë pastrim paraprak në forcat politike përmes vetting-ut politik, shpresojmë që zgjedhjet mund të ofrojnë dhe zgjidhjen.
“Nëse do të jenë të njëjtët kuaj të karrocave politike 30 vjeçare, atëherë zgjedhjet nuk do të sjellin zgjidhje”.
Sipas Profesorit në vend nuk ka oferta politike, pasi mbeten thjesht oferta propagandistike.
“Oferta jepen përditë por problemi është sa politike janë, a kanë në thelb artin e të drejtuarit të shtetit? A ka në themel interesin publik? A ka kujdes për pasuritë kombëtare? A ka politika afatshkurtra dhe afatgjata për zhvillimin e vendit dhe për daljen nga kriza?”
Pala tjetër që kundërshton pa alternativat? Të dyja palët mua më duken si ata në fund të ditës në pazar që bërtasin hajde merreni se çmimi u ul. Thonë do rrisim pagat, ku do i gjesh ti këto para? E kanë bërë një analizë konkrete të financave publike? A je në gjendje të përcaktosh si do të jenë këto të ardhura? Me pritshmëri fiktive apo dëshira subjektive asgjë nuk ndryshon. Analiza duhet të jetë konkrete e gjendjes konkrete.
“Në këtë kuptim ofertë politike nuk shikoj. Ofertën propagandistike e shikoj dhe e dëgjoj çdo ditë”, tha Kabo, i ftuar sot në “Top Talk”, në TCH./NOA.al