Olta Xhaçka ka marrë këtë të martë zyrtarisht detyrën e re si ministre e Jashtme. Nga ambientet e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, u zhvillua një ceremoni për kalimin e stafetës, ku pjesëmarrës ishin përveç Xhaçkës edhe kryeministri Edi Rama dhe ish-ministri në detyrë, Gent Cakaj.
Ish-ministrja e Mbrotjes merr detyrën e kryediplomates pas dorëheqjes së Gent Cakajt, ndërsa në krye të ministrisë që ajo ka drejtuar u votua Niko Peleshi.
Gjatë prezantimit të ministres së re, Rama theksoi se ndihet i lehtësuar që detyrën do ta marrë një politikane me përvojë si Olta Xhaçka.
“Jam i lehtësuar sot që këtë angazhim mund t’ia kaloj Olta Xhaçkës dhe nga ana tjetër më vjen mirë që kemi pasur, jo vetëm një dakordësi, por edhe një qasje të përbashkët me Gentin, në kushtet kur tani ministria ka nevojë që të ketë në krye një drejtues me funksion të plotë, pasi pas sfidës së kapërcyer me shumë sukses të kryesimit të OSBE-së, duhet të përgatisim e t’ia dalim sfidës jo më pak të lehtë, të të qenit pjesë e tryezës së Këshilit të Sigurimit të Kombeve teë Bashkuara”.
Kryeministri Rama ka falënderuar Gent Cakajn për punën që ka bërë, duke thënë se ai e ka kryer detyrën në kushtet e një ngërçi, duke iu referuar kështu refuzimit të presidentit Ilir Meta për ta dekretuar.
Këtë Rama e ka quajtur një ngërç absurd. Ndërkaq ai shtoi se Cakaj është goditur në mënyrë të shëmtuar, por sipas tij, ia ka dalë me sukses që ta mbajë këtë barrë.
“Faleminderit për përkushtimin në krye të kësaj detyre, duke qenë i detyryar të kryesh detyrën në mënyrë të penguar, si rezultat i një ngërçi absurd të krijuar institucionalisht. S’kam nevojë të zgjatem sepse dihet historia tanimë. Përtej kësaj, në këtë periudhë detyrat jo të lehta dhe kohët jo të lehta që ka kaluar ky institucion janë përballur me profesionalizëm dhe sukses”, – shtoi ai.
Ndërkohë, Cakaj në fjalën e tij ka falënderuar kryeministrin Edi Rama për mbështetjen në këtë detyrë, duke thënë se pa të do kishte qenë e pamundur.
“Kryeministri më ka mbështetur gjatë gjithë kohës kur kam qenë në detyrë dhe ne kemi marrë masat e nevojshme të kemi një vazhdimësi. E ndiej detyrim moral të falënderoj kryeministrin për mbështetjen që më ka dhënë. Duke e konsideruar misionin tim të përmbushur, them se pa mbështetjen e kryeministrit, misioni im do kishte qenë i pamundur. Edhe pandemia ka ndikuar në punën e diplomacisë. Kemi punuar në rrethana shumë të vështira! Këtë falënderim s’po e bëj se e kërkon kodi formal i mirësjelljes, por se e ndjej. S’kam fjalë të falënderoj Ramën për këtë rrugëtim”, ka thënë Cakaj. /noa.al/