Kryeministri Edi Rama ka inspektuar sërish sot nga afër punimet në kantierin e spitalit rajonal që do të ndërtohet në Fier.
Rama kërkoi që të gjithë personat që janë shpronësuar për ndërtimin e këtij spitali, t’iu ofrohet mundësi punësimi nga ana e kompanisë në këtë kantier në çdo pozicion. Ai i kërkoi përfaqësuesit turk që t’i kontaktojë të gjithë banorët e shpronësuar.
“Unë kam një kërkesë, që atyre familjeve që janë shpronësuar në mirëkuptim, duhet t’i takosh dhe t’i ofroni mundësi të punojnë këtu në bazë të aftësive dhe mundësisë së tyre. Që nga roje kantieri, teknik apo çfarëdo aftësie të kenë. Duhet t’i kontaktosh sot dhe t’i jepni mundësi që të përfshihen. Ata duhet të jenë të parët në listë. Takoi, merrju çfarë janë të disponueshëm të bëjnë, jepjani kompanisë dhe t’i përfshijnë. Perfekt! Bereqet!”, – i ka thënë Rama përfaqësuesit turk të kantierit.
Më herët në këtë zonë janë kryer punime për të sjellë energjinë elektrike, ujësjellës dhe kanalizime.
Spitali rajonal i Fierit pritet të ndërtohet me angazhimin e presidentit të Turqisë, Rexhep Tayip Erdogan me një kosto që shkon deri në 70 milionë euro.
Më 11 Janar, 12 familjet pronare të tokës, protestuan duke kundërshtuar vlerën e kompensimit, por pas një takimi pa mediat me kryeministrin Edi Rama, u dakordësuan të japin tokën.
Rreth 1.200 forca pune janë angazhuar për të punuar me tre turne, edhe natën për të realizuar bastin Rama-Erdogan, që spitali të përfundojë para zgjedhjeve të 25 prillit. /noa.al/