Loading...

Natë e vështirë për banorët e zonave të përmbytura

Me reshjet e shiut që nuk ndalen, lumenjtë në pikë kritike dhe shkarkimet nga Hidrocentralet, nata pritet të jetë e vështirë në zonat tashmë të përmbytura.

Disa familje në Shkodër, Lezhë, Kurbin dhe Durrës janë larguar nga banesat për shkak të rrezikut që u kanosej nga prania e ujit dhe rrëshqitja e dherave.
Çako: Janë evakuuar 2-3 familje në Lezhë e Shkodër të cilat kanë qenë të cënuara nga përmbytja. Momentalisht zona e Oblikës është më e ekspozuar nga prezenca e ujit.

Për të përballuar çdo skenar që mund të sjellin orët në vijim, në Shkodër e Lezhë janë vendosur forcat e ushtrisë.

Përmbytjet u shfaqën në orët e para të mëngjesit të së premtes, 8 janar, duke vënë nën ujë mijëra hektarë tokë e duke krijuar probleme nga jugu në veri.
Në Obot të Shkodrës tashmë mund të lëvizet vetëm me mjetet e ushtrisë.

Banorët atje ia njohin mirë inatin ujërave, ndaj sytë i kanë nga qielli.

Vërshimi i ujërave bllokoi rrugën lidhëse të fshatit Kallmet me supestraden Lezhë-Shkodër dhe nga kjo situatë rrezikoi jetën një person që udhëtonte me motor.

Gjithashtu vërshimi i kanalit të ujërave të larta bllokoi akset rrugore që lidhin fshatrat.

Lumi Vjosa arriti mbi 6.3 metra e për pasojë përmbyt tregun e gjësë së gjallë në Mifol, duke rikthyer alarmin në zonën e Novoselës dhe anën tjetër në qarkun e Fierit.

Në Gjirokastër, Liqeni i Viroit arriti pikën maksimale duke dalë mbi rrugë e për pasojë krijoi probleme në lëvizje, ndërsa Derviçani u vu nën pushtetin e ujit.

Reshjet e shiut dhe borës shkaktuan vështirësi në qarkullim, kryesisht në rrugët rurale, dhe ndërprerje të energjisë elektrike./oranews

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com