Ndryshimet e papritura në qeveri kanë detyruar Kryesinë e Kuvendit të vendosë mbledhjen me urgjencë të deputetëve për të miratuar dekretimin e dy ministrave të rinj, Olta Xhaçka dhe Niko Peleshi.
Kështu pra, Parlamenti do të mblidhet të hënën në orën 17:00, me kërkesë të kryeministrit Edi Rama. Kuvendi i nis punimet me sesionin e ri parlamentar më 18 janar, por emërimi i ministrave të rinj do të kalojë në një seancë të jashtëzakonshme.
Katër muaj para zgjedhjeve, kryeministri Edi Rama vendosi të bëjë ndryshime në qeveri. Olta Xhaçka do të jetë ministrja e re e Punëve të Jashtme, ndërsa Niko Peleshi ministër i Mbrojtjes.
Të gjitha këto ndryshime në kabinet erdhën pasi zv/ministri i Punëve të Jashtme, Gent Cakaj paraqiti dorëheqjen e tij të parevokueshme në 29 dhjetor 2020.
Më pas, ishte kryeministri Rama, i cili njoftoi në mënyrë surprizë ndryshimet në kabinetin e tij, duke bërë sërish rrotacion.
“Pas një periudhe intensive pune në kryesimin e OSBE si edhe punës së madhe me përkushtim e profesionalizëm të Gent Cakajt si ministër në detyrë, ky është momenti për t’ia kaluar bashkarisht stafetën Olta Xhaçkës që të kryejë detyrën e ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme. Ndërkohë Niko Peleshi do të drejtojë ministrinë e mbrojtjes”, – ishte njoftimi i Ramës për lëvizjet në qeveri.
Më 31 dhjetor, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, njoftoi se dekretoi shkarkimin e zotit Edi Rama nga detyra e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme.
Gjithashtu ai ka firmosur edhe shkarkimin e Olta Xhaçkës nga detyra e ministrit të Mbrojtjes dhe ka dekretuar emërimin e saj në detyrën e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme dhe Niko Peleshit në detyrën e ministrit të Mbrojtjes.
Olta Xhaçka ka mbajtur postin e ministres së Mbrojtjes që nga shtatori i vitit 2017, ndërsa tani Rama i ka besuar Ministrinë e Jashtme, e cila deri më 25 prill duhet të bindë vendet skeptike për të hapur negociatat me Shqipërinë.
Ndërsa deputeti i Korçës, Niko Peleshi, i cili do të zëvendësoje Xhaçkën, gjatë mandatit të parë të qeverisë, ka mbajtur postin e zëvendëskryeministrit, ndërsa më pas u zhvendos në dikasterin e Bujqësisë. Peleshi u largua nga kabineti i Ramës në momentin kur ai nisi kritikat ndaj qeverisë. /noa.al/