Mjekët specialistë tregojnë kur një pacient duhet të paraqitet pranë tyre, cilat janë ushqimet që duhet të konsumojë dhe si të kryejë matjen e tensionit sipas protokolleve të përcaktuara para dhe pas mjekimit. Flet mjekja Sonela Xinxo
Sonila Isaku
Hipertensioni është rritja e vlerave të presionit arterial të gjakut cistolik mbi 140 dhe diastolikut mbi 90 (ose siç njihet ndryshe në vlerat 14 me 9). Pra, çdo vlerë që haset tek individët mbi këto shifra, identifikohet me hipertension. Por kemi raste kur kemi vetëm një prej vlerave më të lartë, pra nëse tensioni i lartë është mbi 14 dhe tensioni ulët është normal, edhe në këtë rast pacienti do të diagnostikohet me hipertension.
Sakaq kemi raste edhe të personave të cilët kanë tension të ulët. Edhe këta pacientë janë të riskuar, pasi të dyja llojet e hipertensionit, si ai i ulëti dhe i larti, kanë rreziqet e tyre dhe konsiderohen si gjendje shëndetësore që kanë nevojë të kurohen.
Presioni i lartë i gjakut është faktori më i madh i rrezikut për vdekshmërinë globale dhe barrën e sëmundshmërisë në mbarë botën, ndaj mjekja e Institutit të Shëndetit Publik, Sonela Xinxo tregon se një prej qëllimeve të ndërmarra për matjen e tensionit në popullatë është hedhja e themeleve të forta për rritjen e ndërgjegjësimit të popullatës për matjen e presionit arterial.
Shkaku
Hipertensionin ne tashmë e quajmë si një gjendje shëndetësore dhe është një gjendje shëndetësore që i atribuohet më shumë stilit të jetës. Çka do të thotë se një stil jete jo i shëndetshëm do të çojë dalëngadalë në prezencën e hipertensionit. Sa i përket stilit të jetesës mund të përmendim mënyrën e të ushqyerit, aktivitetin fizik, jetën sedentare, kontrollet që ne bëjmë tek mjeku etj, dhe të gjitha këto bëjnë një ansambël që në rastet kur nuk rezulton i rregullt, na çon drejt pranisë së hipertensionit.
Stresi
Një tjetër faktor që ndikon në shfaqjen e hipertensionit është edhe stresi. Kështu, në disa raste kemi hipertension vetëm në momente stresi, por në rastet kur kemi edhe një stil jete jo të mirë, atëherë stresi bëhet shkak për shtrimin e rrugës dhe ardhjen më të shpejtë të hipertensionit.
Kontrolli
Por kur duhet të alarmohet një qytetar? Në rast se shifrat e sipërpërmendura ndryshojnë, atëherë qytetarët duhet të drejtohen tek mjeku.
Çdo vit muaji maj është Muaji i Matjes së Presionit Arterial dhe është një iniciativë mbarëbotërore, e cila synon të theksojë nevojën për rritjen e ndërgjegjësimit të popullatës për rëndësinë e matjes së presionit të gjakut. Kjo është një iniciativë e rëndësishme, pasi shumë individë nuk e dinë se kanë presion të lartë të gjakut.
Presioni i lartë i gjakut nuk ka simptoma dhe disa njerëz e zbulojnë që e kanë atë vetëm pas një ataku në zemër, ndonjë goditje në tru, ose kur diagnostikohen me ndonjë sëmundje tjetër, siç mund të jetë sëmundja e zemrës ose e veshkave.
Qëllimi i aktiviteteve përgjatë këtij muaji është matja e Presionit Arterial në sa më shumë njerëz që të jetë e mundur, si edhe zbulimi i shtrirjes së këtij problemi, në mënyrë që të demonstrohet nevoja e rritjes së ndërgjegjësimit të popullatë, si dhe e zbulimit të hershëm dhe trajtimit sa më të mirë të hipertensionit arterial.
Në të gjitha qendrat shëndetësore, të gjithë pacientët mbi 18 vjeç mund të shkojnë në çdo kohë që të kryejnë matje të tensionit, ndërkohë që njëkohësisht mund të plotësojnë edhe një formular, i cili është krejtësisht anonim, ku të japin detaje mbi sëmundjet dhe gjendjen e tyre shëndetësore, në mënyrë që të mund të bëhet një vlerësim mbi prevalencën e sëmundjeve të hipertensionit në popullatën adulte në vendin tonë.
Studimet
Në vendin tonë janë realizuar një sërë studimesh në lidhje me hipertensionin. I pari studim ka qenë në vitet 2008-2009 në popullatën 15 deri në 49 vjeç dhe vumë re që kishte prezencë të hipertensionit në këto mosha. Popullata që i përkiste moshës 40-49 vjeç kishte një prevalencë më të lartë, por ajo që vlen për t’u theksuar është se një pjesë e mirë e këtyre personave që rezultuan me hipertension, nuk ishin në dijeni të sëmundjes së tyre.
Komplikacionet
Nëse një person nuk mjekon hipertensionin shkon drejt komplikacioneve, të cilat mund të jenë goditjet në tru, infarkti akut i miokardit, probleme të veshkave, ku në disa raste hasim edhe insufiçencë renale. Prandaj themi që hipertensioni arterial ka një peshë shumë të madhe në barrën e sëmundshmërisë.
Chek up
Gjatë viteve të fundit, në vendin tonë është duke u aplikuar programi i chek up, i cili ka zbuluar një sërë rastesh të reja të pacientëve me sëmundje të ndryshme si diabeti, hipertensioni, infeksione etj, tek pacientë të cilët nuk e dinin se ishin të sëmurë. Të dhënat më të fundit flasin për një prezencë në 30% të popullatës që kapin vlera të larta të hipertensionit. Nga këta, 13-15% rezultuan me hipertension të lartë, duke mos e ditur që vuanin nga kjo sëmundje.
Matja e tensionit
Matja e tensionit, sa duket një procedurë e thjeshtë, aq edhe kërkon një protokoll. Individi i cili shkon pranë qendrës shëndetësore, duhet të jetë i qetë, të paktën duhet të ketë 30 minuta që ai të jetë i ulur, niveli i krahut të majtë ku bëhet matja duhet të jetë në nivel me zemrën, e rëndësishme është edhe pozicioni i këmbëve, të cilat nuk duhet të jenë të gjunjëzuara. Po kështu, rekomandohet të jenë 3 matje me një interval midis tyre. Ndërkohë, për një pacient i cili ka marrë mjekim për tension të lartë bëhen matjet të vlerave të tij në mëngjes, drekë dhe darkë dhe më pas, merret një e mesme për të parë ndryshimin e vlerave dhe reagimin e mjekimit.
Trashëgimia
Sa ka të bëjë trashëgimia, aq ka të bëjë edhe stili i jetesës, ndaj që të gjithë shqiptarët duhet të jenë në gjendje alarmi, pavarësisht kemi apo nuk kemi prindër të cilët kanë vuajtur nga kjo sëmundje. Personat e diagnostikuar me këtë sëmundje nuk kanë një shërim të plotë, por mbajtje nën kontroll të tij.
Ushqimi
Një ushqyerje e shëndetshme, ku pjata jonë të ketë gjithë ngjyrat e frutave dhe perimeve. Ndërkohë, që një element shumë i rëndësishëm është edhe eliminimi i kripës në gatim dhe përdorimi përditshëm.