100 pacientë shqiptarë, që vuajnë nga sëmundje të rënda, do të trajtohen falas në spitalet e Turqisë.
Kjo është nënshkruar sot në marrëveshjen mes dy vendeve, gjatë vizitës së delegacionit shqiptar në Turqi.
Në marrëveshjen e rinovuar parashikohet që Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Turqisë do të vazhdojë të ofrojë trajtim falas, për 100 pacientë në vit nga Shqipëria për ndërhyrje të vështira, që kanë nevojë për trajtim tejet të specializuar.
Marrëveshja e firmosur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu dhe Dr.Fahrettin Koca, Ministri i Shëndetësisë së Turqisë, ka për qëllim të mbështesë dhe përmirësojë shkëmbimin e njohurive, përvojës, shërbimeve dhe teknologjisë midis dy vendeve, për të forcuar sistemet dhe politikat shëndetësore, përmes praktikave të përparuara akademike dhe shkencore.
Marrëveshja mes dy Ministrive të Shëndetësisë do të shtrihet edhe në bashkëpunimin për sistemet dhe teknologjitë e informacionit shëndetësor, statistikat, sistemet e menaxhimit të informacionit spitalor, në shërbimet e akreditimit dhe kontrollit të cilësisë, në farmaceutikë, pajisje mjekësore, vaksina, bioteknologji, etj.
Një pikë tjetër e kësaj marrëveshje është bashkëpunimi në emergjenca, fa tkeqësi natyrore dhe zhvillimi i projekteve të përbashkëta të punës si organizimi i përbashkët i javëve shëndetësore, forumeve të biznesit shëndetësor, etj. /noa.al/