Loading...

Ekspertët: ‘Pse po largohen mjekët dhe të rinjtë’

Shqipëria po zbrazet me shpejtësi në vitet e fundit, për shkak të emigrimit kryesisht të të rinjve, “trurit” të vendit dhe mjekëve e infermierëve.

Fenomeni shqetësues që ka njohur ritme të larta vitet e fundit, krahasuar me vitin 2007, po sjell sipas ekspertëve atë që quhet “shpopullimi” i vendit.

Për këtë temë, presidenti Ilir Meta kishte mbledhur sot një panel me ekspertë të cilët dhanë shifrat dhe analizat e tyre sa i takon emigrimit nga Shqipëria.

Profesor Ilir Gëdeshi, vuri në dukje se po rritet shumë shpejt migrimi i mjekëve shqiptarë drejt Gjermanisë.

Sipas tij, “numri i mjekëve për 100 mijë banorë do të vijë duke u ulur, duke shkaktuar probleme me popullatën sa i përket shërbimit shëndetësor. Kjo do të provokojë largime të tjera të popullatës në mungesë të një shërbimi mjekësor cilësor”.

Për këtë, profesori iu referua shifrave të OCDE, lidhur me stokun e mjekëve shqiptarë në botë, nga 2013, që po rritet shumë shpejt në Gjermani.

Po ashtu një e dhënë që tregon shumë, është dhe fakti se disa segmente të studentëve si në degët e mjekësisë, arteve, stomatologjisë, arkitekturës, infermierisë, kanë dëshirë më të madhe për t’u larguar nga vendi.

“Nëse mesatarja është 79%, në segmentet e mësipërme është mbi 80% që duan të largohen, në prespektivë, për disa sektorë të ekonomisë ne do kemi vështirësi sa i përket profesorëve të kualifikuar dhe shumë të kualifikuar. Tek mjekët, do shohim që dëshira për emigrim i afrohet 90% që do të thotë shumë e lartë e në perspektivë vendi do ketë boshllëqe sa i përket mjekëve”, tha profesori.

Një tjetër e dhënë shqetësuese, është sipas profesorit Gëdeshi se “11% e popullsisë vlerëson se në Shqipëri nuk ka të ardhme, në krahasim me 3% në 2007 , kjo shpjegon edhe migrimin e rinisë”.

“Ka ndryshuar edhe cilësia e flukseve migratore, në 2007 donin të emigronin të paarsimuarit dhe pakualifikuarit, por në 2018 duan të ikin personat që janë më të arsimuarit e më të kualifikuarit”. /noa.al/

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com