Loading...

Dëbohet nga Tirana diplomati rus, nuk respektoi masat anti-Covid

Ministria e Jashtme shqiptare njoftoi sot se ka shpallur peron të padëshiruar dhe ka kërkuar largimin brenda 72 orësh, të Sekretarit të Dytë të ambasadës ruse në Tiranë Alexey Krivosheev, për shkak të mosrespektimit të rregullave Anti COVID të vendosura nga qeveria shqiptare.

Sipas njoftimit, që prej fillimit të pandemisë, diplomati rus kishte sfiduar në mënyrë të përsëritur kufizimet e vendosura nga autoritetet shqiptare, edhe pas ankesave zyrtare që i ishin drejtuar ambasadës ruse.

Burime diplomatike, i shpjeguan “Zërit të Amerikës” se diplomati Krivosheev, kishte thyer së fundmi karantinën, duke qenë se ishte prekur nga Koronavirusi.

Ministria e Jashtme ka bërë të ditur se “përfaqësuesë të lartë të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, kanë kontaktuar me ambasadorin e Ambasadës së Federatës Ruse në Tiranë, Mihail Afanasiev, duke i bërë me dije shqetësimin për shkeljet e vazhdueshme të masave anti COVID-19 nga diplomati. Ministria ka mirëpritur dhe e vlerëson thellë rolin plotësisht bashkëpunues të ambasadorit për këtë çështje, me premtimin se këto akte nuk do të përsëriten. Fatkeqësisht, ndryshe nga premtimet, diplomati ka vijuar me shkeljen e masave, pavarësisht shprehjes së dëshirës së mire të të dyja palëve për mospërsëritjen e shkeljeve”, saktëson njoftimi.

Sipas Ministrisë së Jashtme “sfidimi i përsëritur i rregullave dhe masave mbrojtëse ndaj pandemisë, dhe shpërfillja e shqetësimeve të institucioneve të shtetit shqiptar lidhur me to, nuk mund të justifikohen e nuk mund të tolerohen më tej”.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com