Në një postim të gjatë në rrjetin social Facebook, me titullin “Le të jemi seriozë!”, ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka zbuluar për herë të parë vështirësitë në negociatat me Greqinë për çështjen e kufirit detar, por dhe çështje të tjera.
Dy vjet pas largimit të tij nga detyra e ministrit, gjatë së cilës kishte drejtuar negociata të vazhdueshme me homologët e tij grekë që nga 2013, Bushati tregon problemet pas rrëzimit të marrëveshjes së detit nga Gjykata Kushtetuese në 2010, ndërsa jep dhe detaje se çfarë përmbante materiali voluminoz prej 1.200 faqesh i këtyre negociatave.
Në lidhje me dërgimin e çështjes së detit në Hagë, Bushati shkruan se qeveria shqiptare duhet të përmbushë të gjitha kushtet ligjore para se të dërgohet dosja në gjykatë, gjë për të cilën Greqia ka nisur punën.
Dekreti presidencial i para disa ditëve për mbylljen e gjireve detare greke, sipas Bushatit, është në kuadër të kësaj përgatitjeje nga qeveria e Greqisë.
“Para nisjes së procesit gjyqësor, Shqipëria dhe Greqia do të duhet të përfshihen sërish në një proces ndërveprues, nga i cili duhet të hartojnë një dokument të përbashkët për lëndën që do t’i nënshtrohet gjykimit, ku duhet të evidentohen gjithashtu pikat e përbashkëta dhe diferencat mes palëve, për të cilat duhet të shprehet gjykata, – thotë ai. – Palët i paraprijnë këtij procesi duke fortifikuar pozicionin e tyre ligjor që i ndihmon ato në ballafaqimin gjyqësor me të drejtën ndërkombëtare. Në dritën e këtij zhvillimi duhet lexuar edhe Dekreti nr. 107, i datës 25 Dhjetor 2020 i Presidentes Greke “Për mbylljen e gjireve dhe ndërtimin e vijës së drejtë bazë në zonën detare të ishujve Jon deri në Peloponez”.
Bushati, thekson se “shpreh bindjen se institucionet e shtetit shqiptar, duhet ta kenë analizuar përmbajtjen e dekretit dhe verifikuar koordinatat detare, për t’u siguruar se një akt i tillë është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe nuk cenon sigurinë tonë kombëtare. E në të njëjtën kohë, të punojnë për strategjinë dhe hapat që duhen ndjekur për procesin gjyqësor“.
Ish-shefi i diplomacisë shqiptare, shkruan se në raport me Greqinë, gjatë negociatave të tanishme duhet patur parasysh vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili rrëzoi marrëveshjen e vitit 2009 me Greqinë, pasi gjeti një mori parregullsish në mënyrën se si u negociua.
“Ndërkohë që nuk duhet të ketë dyshime për nevojshmërinë e këtij procesi, çështja thelbësore është mënyra sesi duhet t’i qasemi atij. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që shpalli të papajtueshme me Kushtetutën, marrëveshjen e nënshkruar më 27 Prill 2009, përbën një udhërrëfyes që duhet ndjekur me kujdes, pavarësisht se nuk mungojnë zërat publikë që ende pretendojnë se kjo marrëveshje ishte e drejtë dhe se vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese ishte e ndikuar politikisht”, shkruan Bushati në Facebook.
Ish-ministri thekson se marrëveshjet mes shteteve bregdetare janë të nevojshme në mënyrë që secili të shfrytëzojë më pas maksimalisht pasuritë e tij.
“Për kryerjen e delimitimit të hapësirave detare ka rëndësi që shtetet të përcaktojnë vijën e drejtë bazë, e cila mund të jetë normale, e drejtë ose e kombinuar, në përputhje me Konventën, çka më pas ndihmon në ndërtimin e vijës delimituese, së cilës i bëhen modifikime, duke marrë në konsideratë edhe elementë të veçantë, siç janë gjeografia e terrenit, titujt historik dhe ndarja e drejtë. Prandaj, angazhimi në këtë proces është i domosdoshëm. Madje, i vonuar. Përfundimi i tij krijon mundësi për shfrytëzimin e hapësirave detare dhe burimeve natyrore“, – vijon Bushati.