Ambasada e Britanisë së Madhe në Tiranë, ka publikuar një njoftim të rëndësishëm për të gjithë qytetarët shqiptarë që duan të udhëtojnë drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Sipas ambasadës, çdokush që udhëton drejt Britanisë së Madhe, duhet të ketë patjetër përgjigjen negative të testit Covid.
“Nga java e ardhshme, të gjithë qytetarët që udhëtojnë për në Mbretërinë e Bashkuar, duke përfshirë shtetasit britanikë, duhet të paraqesin një test negativ për Covid 19 të kryer deri në 72 orë përpara nisjes”, shkruan ambasada.
Ndërsa, të gjithë udhëtarët që mbërrijnë nga vendet që nuk janë në listën e korridorit të udhëtimeve të qeverisë britanike, përfshirë këtu Shqipërinë, duhet të vetë-izolohen për 10 ditë.
Ambasada britanike në vendin tonë, thotë se qytetarët që nuk zbatojnë rregullat e reja, do të ndëshkohen me një gjobë të menjëhershme me vlerë 500 £.
“Testimi i detyrueshëm për COVID-19 për udhëtimet në Britani! Nga java e ardhshme, të gjithë qytetarët që udhëtojnë për në Mbretërinë e Bashkuar, duke përfshirë shtetasit britanikë, duhet të paraqesin një test negativ për #COVID19 të kryer deri në 72 orë përpara nisjes.
Qytetarët që nuk zbatojnë rregullat e reja do të ndëshkohen me një gjobë të menjëhershme me vlerë 500 £.
Të gjithë udhëtarët që mbërrijnë nga vendet që nuk janë në listën e korridorit të udhëtimeve të Qeverisë Britanike, përfshirë këtu Shqipërinë, duhet të vetë-izolohen për 10 ditë, pavarësisht rezultatit të testit.
Përpos testit, udhëtarët do të duhet të paraqesin edhe Formularin e Vendndodhjes së Pasagjerëve. Forcat Kufitare të Mbretërisë së Bashkuar do të kryejnë kontrolle pas mbërritjes në Britani për të siguruar respektimin e rregullave”, – njofton ambasada e Britanisë së Madhe në Tiranë.