Loading...

18 janar 1984 – Anijet ushtarake të SHBA hynë në ujrat territoriale detare të Shqipërisë. Nga baza detare e Sazanit dolën KS-314 dhe KS-316

Nga Artur Mecollari

18 janar 1984 – Anijet ushtarake të SHBA hynë përsëri në ujrat territoriale detare të Shqipërisë
Datë në historinë e të drejtës kombëtare të detit
Në 18 janar 1984 dy luftanije të Forcave Detare të SHBA, një kryqëzorë dhe një frigate, hynë në ujrat territoriale të Shqipërisë, në distance mbi 12 milje detare, por brenda 15 miljeve detare. Për këtë qëllim nga baza detare e Sazanit dolën KS-314 dhe KS-316. Ndërkohë, nga bordi i kryqëzorit u ngrit dhe u ul edhe një helikopter. Mas një fare kohe lundrimi në kurs parallel me vijën bregdetare anijet amerikane dolën nga ujrat shqiptare.
Ky veprim i SHBA konsiderohet veprimi i dytë, mbas atij të 12 dhjetorit 1981 në kuadër të programit të “Lirisë së Lundrimit” (“Freedom of Navigation”), i drejtuar nga Departamenti i Shtetit dhe i zbatuar nga Departamenti i Mbrojtjes (Forcat Detare), me emërtimin “operacion deklarimi”. Programi i “Lirisë së Lundrimit” ka nisur në vitin 1981 dhe vijon ende të zbatohet nga SHBA. Ai ka si qëllim të detyrojë shtetet aleate, mike dhe kundërshtare të respektojnë dispozitat e të drejtës ndërkombëtare të detit.
Shqipëria në vitin 1976 kishte shpallur gjerësinë e detit territorial 15 milje detare, gjerësi në kundërshtim me parashikimet e Konventës së OKB-së mbi Detin Territorial të vitit 1958 (LOS 1958), në të cilën Shqipëria nuk ishte palë. Në 10 dhjetor 1982 filloi të firmoset Konventa e OKB-së mbi të Drejtën e Detit 1982 (UNCLOS 1982), e cila hyri në fuqi në vitin 1994.
Duke nisur nga viti 1981 dhe deri në vitin 1987, Forcat Detare të SHBA kanë kryer disa operacione deklarimi në detin territorial të Shqipërisë. Ky program me Shqipërisë kulmoi me notën verbale të derguar nga SHBA në korrik 1989 nëpërmjet Ambasadës Franceze, ku kundërshtonte 1) gjerësinë e detit territorial të Shqipërisë, 2) metodologjinë e ndërtimit të vijës së drejtë bazë dhe 3) pezullimin e të drejtës së kalimit paqësor të anijeve të luftës nëpër detin territorial të Shqipërisë.
Në mars 1990 Shqipëria ndryshoi legjislacionin për kufijtë detar duke 1) shpallur gjerësinë e detit territorial 12 milje detare dhe 2) shfuqizuar pezullimin e të drejtës së kalimit paqësor për anijet e luftës nëpër detin e saj territorial. Ky akt përfaqëson pranimin nga Shqipëria të UNCLOS 1982. Shqipëria aderoi në UNCLOS 1982 në vitin 2003.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com