Loading...

Tha se ishte motra e Klodianit në protestë, flet vajza: Më kanë keqkuptuar

“Motra” e pretenduar e 25-vjeçarit, Klodian Rasha, ka reaguar ditën e sotme në lidhje me deklaratën e saj të bërë një ditë më parë në protestë. Ajo është Bukuroshe Haruni, e cila për gazetarët u shpreh se ishte e motra e Klodianit.

Për emisionin “Shqipëria Live”, Haruni tha se e kanë keqkuptuar dhe se ka pasur probleme me familjen e saj, pas kësaj deklarate të fortë.

“E kanë keqkuptuar. Kemi pasur shoqëri, jemi lindur në një lagje. Prandaj kam folur si motra e tij. Nuk di se si e kanë marrë njoftimin njerëzit. Kjo deklaratë më ka hapur probleme me familjarët e mi”, tha ajo.

Bukuroshja tregoi se nuk ka folur me familjarët e Klodian Rashës, por u kërkoi falje publikisht në lidhje me keqkuptimin që është bërë me deklaratën e saj.

Ndërsa e pyetur pse i ra të fikët, ajo u shpreh se e kanë goditur në bark dhe në shpinë. “Nuk e di se kush më goditi, nuk ua di emrat”, tha ajo.

Mbrëmë, ajo mbante në dorë edhe flamurin shqiptar, duke treguar se është simbolikë e gjakut të derdhur nga “i vëllai”.

“Kam qenë në Itali dhe jam nisur për ngjarjen. Familja ime kërkon të drejtën, për çfarë është vrarë vëllai im. Vëllai e blinte paketën rreth 20 minuta në këmbë. Probleme nuk ka patur, ai ka qenë djalë i mirë, i rregullt. Ishte i fejuar dhe sivjet prisnim ta martonin, – tha ajo gjatë protestës, para se të zbulohej cila ishte në të vërtetë. – E takova para gjashtë muajsh. Kur erdha nuk e takova të gjallë, e takova në arkivol. Dua të drejtën e vëllait tim. S’ka patur faj fare, për çfarë e kanë qëlluar. Duhet të qëllonin në ajër, jo në zemër. Flamurin e mbaj për gjakun e vëllait që është derdhur”, – u shpreh ajo gjatë protestës.

Për rastin në fjalë ka reaguar edhe babai i Klodianit, Qazim Rasha, i cili ka mohuar që të ketë vajzë dhe aq më shumë të kishte dalë në protestë për të kërkuar drejtësi për vrasjen e 25-vjeçarit. /noa.al/