Presidenti Ilir Meta, ka emëruar Sonila Bejtjen anëtare të 7-të të Gjykatës Kushtetuese. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i dha “OK” për kandidaturën e shtatë të gjyqtarit kushtetues duke e dërguar në presidencë emrin e juristes Bejtja.
Në këtë mënyrë, nga 9 që duhet të ketë në total, Gjykata Kushtetuese sot ka 7 anëtarë.
Zonja Bejtja garonte për vakancën e shpallur nga presidenca në 22 nëntor 2019.
Për këtë vakancë në garë ishte edhe kandidati Altin Binaj.
“Këshilli vijoi më intevistimin e kandidatës tjetër, Zj. Sonila Bejtja e cila është paraqitur sot përpara anëtarëve të KED për të zhvilluar intervistën e caktuar në rendin e ditës, duke iu përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të këshillit dhe prezantuar platformën e saj në lidhje më kandidimin për në Gjykatën Kushtetuese dhe vlerësimit të njohurive në gjuhën angleze.
Pas përfundimit të intervistimit të kandidates, KED vijoi me procedurën e pikëzimit dhe renditjes.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pas diskutimevebëri pikëzimin e kandidatit të lejuar për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e parakohshme, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019 dhe miratoi vendimin përkatës. KED vijoi me miratimin e vendimit mbi listën përfundimtare të renditjes dhe raportit përkatës, i cili do t’i dërgohet menjëherë organit të emërtesës, Presidentit të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e KED.
Binaj u skualifikua nga KED për shkak se një javë më parë ai u zgjodh gjyqtarë kushtetues nga parlamenti duke u bërë gjyqtari i 5-të për t’u pasuruar më pas nga Përparim Kalo gjyqtari i 6-të.
Njoftim i Institucionit të Presidentit të Republikës
28 dhjetor 2020
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta sot më datë 28.12.2020, ka administruar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi Listën Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve të lejuar për kandidim dhe Raportin e Arsyetuar të Renditjes së tyre për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e parakohshme, e krijuar pas mbarimit përpara kohe të mandatit të ish-gjyqtarit Besnik Muçi, shpallur nga Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 11364, datë 22.11.2019.
Sipas praktikës dokumentare të dërguar, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi me vendimin nr. 66, datë 28.12.2020, ka vendosur miratimin e listës përfundimtare të renditjes së kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, në vendin vakant, vakancë e parakohshme, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019, si më poshtë:
1) Sonila Bejtja 76.83 Pikë
Presidenti Meta, pasi u njoh dhe vlerësoi praktikën dokumentare të vendimmarrjes së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi; si dhe duke vlerësuar njëkohësisht nevojën jetike që ka vendi për plotësimin dhe funksionimin sa më parë, e mbi të gjitha në mënyrë të qëndrueshme të Gjykatës Kushtetuese, në përfundim të shqyrtimit, në mbështetje të neneve 93, 125 pika 1, 127 pika 3, 129, 149/d pika 1, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, neneve 7, 7/a pika 4, 7/b, 7/dh pika 2, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, pa asnjë vonesë, me Dekretin nr. 11886, datë 28.12.2020, ka vendosur që:
– Zonja Sonila Bejtja të emërohet gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.