Loading...

Presidenti Ilir Meta dekreton dy ministrat e rinj

Presidenti Ilir Meta ka dekretuar mëngjesin e 31 dhjetorit Olta Xhaçkën në postin e ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Niko Peleshin në detyrën e ministrit të Mbrojtjes.

Kreu i shtetit ka shkarkuar nga detyra kryeministrin Edi Rama, i cili mbante këtë post më parë. Ai e mori këtë post, pasi Meta nuk pranoi të dekretonte Gent Cakajn si ministër të Jashtëm.

Xhaçka gjithashtu është shkarkuar nga posti i ministres së Mbrojtjes, duke u zëvendësuar pikërisht nga Niko Peleshi.

Të gjitha këto ndryshime në kabinet erdhën pasi zv/ministri i Punëve të Jashtme, Gent Cakaj paraqiti dorëheqjen e tij të parevokueshme dy ditë më parë (29 dhjetor 2020).

Më pas, ishte kryeministri Rama, i cili njoftoi në mënyrë surprizë ndryshimet në kabinetin e tij, duke bërë sërish rrotacion.

“Pas një periudhe intensive pune në kryesimin e OSBE si edhe punës së madhe me përkushtim e profesionalizëm të Gent Cakajt si ministër në detyrë, ky është momenti për t’ia kaluar bashkarisht stafetën Olta Xhaçkës që të kryejë detyrën e ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme. Ndërkohë Niko Peleshi do të drejtojë ministrinë e mbrojtjes”, – ishte njoftimi i Ramës për lëvizjet në qeveri.

Olta Xhaçka ka mbajtur postin e ministres së Mbrojtjes që nga shtatori i 2017, ndërsa tani Rama i ka besuar Ministrinë e Jashtme, e cila deri me 25 prill duhet të bindë vendet skeptike për të hapur negociatat me Shqipërinë.

Deputeti i Korçës, Niko Peleshi, i cili do të zëvendësoje Xhaçkën, gjatë mandatit të parë të qeverisë ka mbajtur postin e zëvendëskryeministrit, ndërsa më pas u spostua në dikasterin e Bujqësisë. Peleshi u largua nga kabineti i Ramës në momentin kur ai nisi kritikat ndaj qeverisë. /noa.al/