Loading...

Ndërron jetë në moshën 64-vjeçare një prej njerëzve më të dashur e më të vlerësuar në hendbollin kosovar

Ndërron jetë në moshën 64-vjeçare një prej njerëzve më të dashur e më të vlerësuar në hendbollin kosovar, Shaban Demiri.

Demiri u nda nga jeta ditën e sotme për shkak të problemeve me shëndetin.

Ai ka dhënë kontribut si lojtar e më pas si gjyqtar i hendbollit dhe së fundmi edhe si vëzhgues-kontrollues.

Demiri do të mbahet mend për përkushtimin në punë, qetësinë dhe për energjinë pozitive që ka sjellë në secilin ambient ku është paraqitur.

Familja e hendbollit kosovar ka mbetur pa një anëtar të çmuar, shkruan FHK.

I lindur në vitin 1956 në Gadime, Demiri filloi të luante në Obiliq si nxënës i shkollës së mesme, në vitin 1972.

Filloi te skuadra KXEK Kosova, ndërsa luajti deri në vitin 1986.

Prej viti 1988 e deri në vitin 2007 dha kontribut si gjyqtar i hendbollit. Ndërsa prej vitit 2007 e deri në ditët e fundit të jetës, ka kontribuar si vëzhgues.

Është shquar edhe për korrektësinë në punë dhe për angazhimin për zhvillimin e hendbollit. Kontributi i tij, sidomos në vitet nëntëdhjetë, ishte i madh.

Presidenti Eugen Saraçini në emër të FHK-së i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Demiri dhe gjithë komunitetit të hendbollit./noa.al/

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com