Numri i të infektuarve po shkon në 1 mijë në ditë në vendin tonë, por këto janë vetëm shifrat zyrtare. Besohet gjerësisht nga specialistët se numri i të infektuarve është shumë herë më i lartë.
Madje shumë qytetarë që nuk kanë pasur simptoma, nuk e dinë se mund të jenë prekur me kornavirusin, ashtu sikure mund të ketë infektuar pa dashje të tjerë.
Mjekë dhe specialistë të shëndetësisë, të cilët nuk janë pjesë e Komitetit Teknik, propozojnë shtimin e testimeve masave në popullatë.
Sipas profesorëve Genc Sulcebe dhe Alban Ylli, qeveria duhet të zgjedhë prioritetet në pandemi mes shëndetit, ekonomisë dhe politikës.
Sipas Sulçebej duhet të shtohen “aktivitetet testuese në komunitet, në mënyrë që të kapen personat me shenjat klinike por edhe kontaktet, në mënyrë që të identifikohen asimptomatikët”.
Sipas Alban Yllit “mund të marrin edhe masa të tjera, por të balancuara. Nëse do ta kemi fokusin te shkollat, ne do të mbyllim baret, nëse do të kemi fokusin te ekonomia, do të mbyllim shkollat. Pra, pa dyshim do të na duhet të bëjmë zgjedhje edhe politike, ndërkohë që masat duhet të vijojnë”.
Epidemiologu Ilir Alimehmeti pranoi gjithashtu sot, se edhe ai ishte infektuar me Covid, por kishte simptoma të lehta, aq sa po të mos i nënshtrohej analizave, nuk do ta kuptonte.
Alimehmeti paralajmëroi një dimër të ashpër dhe gjithashtu ngriti shqetësimin, që shqiptarët t’i nënshtrohen testeve masive, me qëllim, që kur vaksina të mbërrijë dhe besohet se do të vijë në Shqipëri pas pranverës, të dihet se cilët e kanë kaluar dhe cilët jo virusin./NOA.al