Nga data 24 dhjetor qytetarët nuk do të dalin pa arsye nga ora 20:30, deri në orën 06:00 të mëngjesit.
Në të njëjtën fashë oraresh do të funksionojnë edhe baret dhe restorantet, të paktën deri në datën 5 janar të 2021-shit.
Këto janë masat që ka marrë Ministria e Shëndetësisë për festat e funditit, të cilat u komunikuan nga Ogerta Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë, njoftoi se nga data 24 dhjetor, lëvizja nuk do të lejohet duke nisur nga ora 20:30.
“Kemi vendosur kufizimin e lëvizjes nga ora 20:30 deri në 06:00, nga 24 dhjetori deri në 4 janar. Përjashtim bëjnë ata që duhet të lëvizin për arsye shëndetësore apo pune”, tha ministrja. Nga 5 janari rikthehet ora 22.00 e ndalim-qarkullimit.
“Edhe aktiviteti i bareve dhe restoranteve do të kufizohet në këtë fashë orare”, shtoi Manastirliu.
Gjithashtu, ministrja njoftoi pezullimin e fluturimeve me Anglinë nga nesër, deri në 6 janar, duke shtuar se “rikthehet karantina 14-ditore për qytetarët që vijnë nga ky vend.
Vendimi vjen, nisur nga lajmi për një koronavirus të ri në Britaninë e Madhe, ndaj edhe Shqipëria ka marrë masa për të parandaluar depërtimin e mutacionit në vendin tonë.
Kështu, ministrja e Shëndetësisë komunikoi se duke filluar nga ora 06:00 e ditës së nesërme, e martë, do të pezullohen fluturimet me Anglinë.
Po ashtu, ata të cilët mbërrijnë nga Britania në Shqipëri, do t’i nënshtrohen karantinës së detyruar dyjavore.
Ministrja vlerësoi masat e marra deri tani për parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit. /noa.al/