18 dhjetor 1992 – Firmoset marreveshja midis Shqipërisë dhe Italisë për delimitimin e shelfit kontinental
Datë në historinë kombëtare të detit
Bisedimet midis Shqipërisë dhe Italisë për delimitimin e helfit kontinental midis dy shteteve nisën në vitin 1982. Si bazë ligjore për këtë marrëveshje u përdor Konventa e OKB-së mbi Shelfin Kontinental 1958, në të cilën kishin aderuar të dy shtetet. Nga pala shqiptare në grupin negociator bënin pjesë: Ksenofon Krisafi, kryetar, Beqir Gërbi, Çarçan Danaj, Ronald Dono, Vasillaq Leci, Agim Shehu, Vait Tartari, Niko Pano dhe Dhimitër Postoli.
Me hyrjen e familjes Popa në Ambasadën e Italisë në Tiranë më 12 dhjetor 1985 bisedimet u ndërprenë. Bisedimet rinisën përsëri në fund të vitit 1991 me ristrukturimin e grupit negociator. Nga pala shqiptare në grupin negociator tashmë bënin pjesë: Ksenofon Krisafi, kryetar, Vladimir Pulaj, Ilir Shurdhi , Vladimir Beja, Xhelil Fezga, Viktor Vogli , Dhimitër Postoli , Çarçan Danaj, Javer Çobani, Ylli Kolonja, Fotaq Diamanti, David Tushe dhe Laze Xhemali. Pala italiane perfaqësohej nga Ramiro Guggerio, kryetar, kapiten i rangut të parë Francesco Spanio, kapiten i rangut të parë Eugenio Siracuzza, kapiten i rangut të dytë Giuseppe Guglietta, Gilberto Dialuce, Umberto Leanza, Giuseppe Bolondi, Gianpiero Francalanci dhe përkthyes Albert Akshija.
Për arritjen e marrëveshjes u përdor metodologjia e barazlargësisë strikte. Kjo pasi bregdetet e të dy shteteve janë homogjene dhe të dy shtetet kanë ndërtuar vijat e drejta bazë në bregdetet respektive. Pavarësisht kontestimit të SHBA në vitin 1989 për metodologjitë e ndërtimit të vijës së drejtë bazë të Shqipërisë, kjo marrëveshje legjitimoi vijën e drejtë bazë të shpallur në vitin 1970 dhe përmirësuar në vitin 1976.
Marrëveshja për delimitimin e shelfit kontinental midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë u firmos në 18 dhjetor 1992. Kjo marrëveshje është ratifikuar nga Parlamenti Italian me ligjin Nr. 147 të datës 12 prill 1995 dhe ka hyrë në fuqi më 26 shkurt 1999. Po ashtu, Parlamenti Shqiptar e ka ratifikuar marrëveshjen me ligjin Nr.7685 të datës 15 mars 1993 dhe është dekretuar nga Presidenti i Republikës me dekretin Nr.500, datë 26 Mars 1993. Për palën shqiptare marrëveshja ka hyrë në fuqi më 15 Mars 1993.
Loading...