Arqipeshkëvi i Kishës Katolike, Imzot George Frendo, në prag të Krishtlindjeve, përmes një letre ka kundërshtuar vendimin e Komitetit Teknik të Ekspertëve që u miratua dje dhe që futet në fuqi në datë 24 dhjetor, i cili shtrëngon orën policore, nga 22:00 në 20:30.
Kisha e cilëson vendimin të nxituar dhe diskriminues ndaj komunitetit katolik, që është e vetmja Kishë e Krishterë që kremton lindjen e Krishtit.
Letra e plotë e Frendos
Për dijeni: Znj. Ogerta Manastirlliu
Nunciaturës Apostolike në Shqipëri
Tiranë 21 dhjetor 2020
E Nderuar Zonja Rakacolli,
U njohëm me vendimin e ri të Komitetit të Ekspertëve të drejtuar prej jush, rreth kufizimit në kuadër të masave anti-COVID të marra nga qeveria shqiptare që ndalon qarkullimin e njerëzve pas orës 20.30, duke filluar nga data 24 dhjetor, pikërisht natën e Krishtlindjes.
Ne, si Kishë Katolike kishim marrë të gjitha masat që të kremtonim meshat në orare të përshtatshme, qysh prej datës 3 dhjetor 2020, sikurse do të shihni nga dokumenti bashkëngjitur. Në këtë dokument kemi vendosur që meshat të mbahen në orare që t’u lejojnë njerëzve të kthehen nëpër shtëpitë e tyre para orës 22.00.
Ky ndryshim i papritur që nis pikërisht Natën e Krishtlindjes, na duket i nxituar dhe di skriminues ndaj komunitetit katolik, që është e vetmja Kishë e Krishterë që kremton lindjen e Krishtit natën. Sapo kishim njoftuar të gjithë besimtarët tanë dje, ditën e Diel, se mesha e Krishtlindjes do të kremtohej te enjten në orën 20.00.
Me kënaqësi do të kishim marrë pjesë në konsultim për një gjë të tillë.
Duke ju uruar punë të mbarë ju përshëndes, me nderime George Frendo O.P.
Kryetar i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë
Znj. Mira RAKACOLLI
Kryetare e Komitetit të Ekspertëve anti-COVID
Plani i Kishës për meshën e Krishtlindjes para urdhrit të ri të Komitetit
Arqipeshkvia Metropolitane Tiranë – Durrës, bën me dije, se kremtimet e Krishtlindjes në Katedralen e Shën Palit, Tiranë do të jenë si vijon:
Mesha Vigjilje e Krishtlindjes
Mesha e parë, 24 dhjetor 2020, ora 16:00
Mesha e dytë, 24 dhjetor 2020, ora 18:00
Dita e Krishtlindjes
Mesha e parë, 25 dhjetor 2020, ora 10:00
Mesha e ditës, 25 dhjetor 2020, ora 11:00
Mesha e pasdites, 25 dhjetor 2020, ora 17:00