Kryeministri Edi Rama e pranon se Greqia është zgjeruar me 12 milje detare, por thotë se kjo është një e drejtë që Shqipëria e ka ushtruar që në vitin 1990.
Lidhur me zërat për tradhëti kombëtare, kreu i Qeverisë shkruan në Tuiter se ata që i fryjnë kësaj ideje janë llumi nacional-folklorik i politikës.
Shqipëria dhe Greqia sipas tij, ka arritur marrëveshjë për dërgimin e çështjes në Gjykatë Ndërkombëtare.
Reagimi i plotë:
Ja edhe dokumentat e vitit 1990 kur Shqipëria bëri fiks këtë që bëri Greqia sot dhe që është në fuqi sot e gjithë ditën në regjistrin e OKB! As pala greke s’kishte çfarë kontestonte atëherë as ne s’kemi ne çfarë kontestojmë tek vendimi i Greqisë!
Lëreni llumin në batakun e vet. Jetojmë në shekullin XXI dhe në mes të Europës,ku nuk mund të “shiten” e “blihen” dot dete e territore as fshehurazi, as haptazi nga asnjë autoritet i veçantë! Këto mund të ndodhin vetëm në batakun e ligësisë e të injorancës,ku llumi i shqiptarisë gjen shesh për përsheshin e tij!
E drejta e 12 miljeve ushtrohet aty ku është e mundur dhe jo aty ku s’ka mundësi, siç është rasti në zonën mes nesh ku vija ndarëse do të vendoset me gjyq! Greqia e ka ushtruar këtë të drejtë së fundmi, fiks siç e ka ushtruar Shqipëria qysh në vitin 1990! Të tjerat janë dokrra!
Pas rrëzimit të marrëveshjes famëkeqe të 2009 dhe mosmarrëveshjes që pasoi, ne kemi arritur më në fund dakordësinë me palën greke që delimitimin e kufirit tonë detar ta çojmë në Gjykatën Ndërkombëtare! Shtrirja 12 milje e Greqisë në Jon s’ka lidhje me zonën joniane mes nesh!
Llumi nacional-folklorik i politikës shqiptare pa kufij, pa din e iman, është derdhur sërish në oqeanin digjital përmes shpifjes së madhe të “shitjes së detit” Greqisë! Këtë marrëzi ekstreme për përfitime politike mund ta besojnë vetëm ata që s’duan të dëgjojnë e as të kuptojnë! /noa.al/