Presidenti Ilir Meta u pyet gjatë një takimi online të Këshillit Rinor të Ballkanit nëse është penduar që e ka marrë detyrën e presidentit dhe a do të ishte më mirë të mbetej në krye të LSI.
Kreu i shtetit tha se “absolutisht nuk jam penduar”, duke shtuar se përpiqet ta bëjë këtë detyrë me përgjegjshmëri maksimale.
Presidenti hodhi një vështrim pas në kohë, duke deklaruar se ndryshimi i sistemit në Shqipëri erdhi nga shpirti guximtar i të rinjve dhe jo nga prindërit e tyre.
“Së pari të jeni të sigurt që unë jam natyrë energjike dhe luftarake, edhe rinore. Aq sa kur erdhi 8 dhjetori nuk po më besohej që 30 vjet më parë unë kisha qenë më i ri seç është djali im sot. Pata si ditë reflektimi, u binda që nëse do kishim pritur nga prindërit tanë për një ndryshim regjimi, ky ndryshim kurrë nuk do të kishte ndodhur. Kishin një mijë halle. Ndërsa të rinjtë, shpirti i guximit i hedh tutje këto frikëra dhe dilema”, theksoi Meta.
“Tani të ndalem te pyetja. Unë nuk është se këtë detyrë nuk kam pranuar i pandërgjegjshëm. Absolutisht nuk jam i penduar. Përpiqem ta bëj me përgjegjshmëri maksimale. Kuptohet me një situatë me parlament njëpartiak, gjykatë kushtetuese, që e kanë bërë jo funksional shtetin e së drejtës, dhe ka shtuar këto probleme që ne po flasim sot për të rinjtë”.
“Ju jap fjalën që do vazhdoj të mbetem gjithmonë i ri, do mbetem lu ftarak për të lu ftuar për çështje të drejta dhe që i krijojnë një perspektivë më të mirë të rinjve. Nuk jam penduar asnjëherë, duhet t’i trefishojmë përpjekjet në këtë drejtim”, u shpreh Meta.
Presidenti Ilir Meta pjesë e aktivitetit ndërkombëtar “Ditë Leksionesh të Hapura – Platforma Today’s”, me temë “Të rinjtë në aktualitetin politik”, të organizuar nga Këshilli Rinor i Ballkanit është shprehur se vendit i duhet një ndryshim i fortë dhe i madh dhe këtë mund ta bëjë vetëm rinia.
“Ndryshimet i bëjnë të rinjtë në emër të ëndrrave të tyre reagimit ndaj padrejtësive, kjo ndodh kur marrin përgjegjësi dhe janë të bashkuar”.
“Ky është mesazh që vlen në çdo kohë. E theksoj sot se mendoj që vendi ka nevojë për ndryshim të madh e të fortë”.
“Ky duhet të vijë nga të rinjtë se pas 30 vitesh shohim që ky sistem që kemi ndërtuar apo deformuar ne, të gjithë bashkë shtyp ëndrrat e të rinjve, është bërë pengesë për të ardhmen e të rinjve në vend”, ka thënë Meta.