30 shtator 2017 ishte dita kur u ngjit për herë të parë në foltoren e Kuvendit, në një fjalim shumë të sinqertë siç rrallëherë shihet në Parlament, nuk e kishte menduar kurrë që do të ngjitej më në atë foltore, prandaj zgjodhi që të thoshte të vërtetën ashtu siç është, e ky sinqeritet u shpërblye nga publiku.
Sot kur kanë kaluar më shumë se 3 vite, Rigerta Loku kërkon një rikthim në atë sallë, pikërisht për të bërë atë që mendon se do e bëjë më së miri, të përfaqësojë njerëzit, që historitë e tyre të bëhen të prekshme nga të gjithë. Me premtimin se nuk do të ndryshojë kurrë, që do të jetë ajo Gerta e thjeshtë dhe e qeshur, siç ka qenë gjithmonë, ajo sot kërkon mbështetjen e qytetarëve për të marrë një mandat në zgjedhjet e 25 prillit. E ftuar në hapësirën live të pasdites në Report Tv, ajo ka rrëfyer se përse mori këtë vendim dhe pse pikërisht t’i bashkohet “Nismës”.
“Do më mbetej peng, dua ta ndihmoj vendin tim me aq sa kam në dorë. Nëse ata duan unë do kem dëshirë për t’i përfaqësuar. Kam zgjedhur nismës, sepse janë të rinj që marrin pjesë, janë njerëz që nuk kanë teser partie, ka profesorë, biznesmenë, njerëz të shkolluar, Rudina Hajdari është një zë i rëndësishëm dhe një i ri dhe unë shpresoj që të kemi mbështetjen e qytetarëve”, tha Gerta
Ftesa nga partitë e mëdha nuk ka pasur, por siç ajo tregon, as nuk e ka dashur që t’i vinte.
“Kam pasur ftesa nga partitë e vogla, dy partitë e mëdha nuk më kanë dashur dhe as nuk i kam dashur, dua të jem faktor në qarkun e Lezhës, e di që familja politike është e rëndësishme, unë kam besim te ata dhe dua që të besojnë te unë”, tregon ajo.
Komentet negative që kanë ardhur në adresë të saj që pas zyrtarizimit të kandidaturës, i ka marrë me sportivitet, edhe pse thekson se kanë qenë të pakta.
“Nuk është e lehtë, normal që nuk i shoh i lumtur, shoh që pas komenteve që ka një militantizëm, unë i garantoj ato që më shajnë se do më duam në shumë, unë kam shkuar aty ku më ka çuar zemra dhe me zemër dua ta çoj përpara mandatin tim dhe këtë detyrë të madhe që kam marrë përsipër. Janë sharë të gjithë, kjo nuk është një gjë e keqe, pastaj unë bëra një status për miqtë e mi në Facebook, nuk e marr parasysh bumin e madh mediatik, edhe pse është një shans shumë i mirë për të promovuar”, tha ajo.
Duke u ndalur tek ai fjalim që e bëri të “famshme”, Gerta thotë se as nuk e kishte menduar kurrë dhe kurrsesi nuk ka qenë ky qëllimi i saj.
“Vij nga popull dhe nëse populli do më dojë do më votojë. Nuk e kam kërkuar atë popullaritet, ka ardhur shumë rastësisht, ka qenë e paplanifikuar, pas atij fjalimi nuk qëndron askush, përveç Gertës dhe dorës së saj, ishte ideja ime, unë kam folur ndoshta me idenë që nuk do të shkojë më në atë foltore, kam thënë një herë do flas dhe ajo që do them është e vërtetë. Tani unë dua t’i përfaqësoj, nuk do të bëjë mrekullira, por do të mundohem që në atë foltore të çoj historitë e thjeshta të njerëzve të mirë që banojnë në këtë qark”, tregon Gerta.
Premtimet e saj nuk janë që do të bëjë mrekullira, por t’u gjendet pranë njerëzve dhe për këtë nuk është e nevojshme për një fushatë të kushtueshme.
“Nuk do të bëjë asnjë premtim madhor, do u premtoj njerëzve që do jem e thjeshtë dhe me këmbë në tokë. Do të jem po kjo Gerta që jam në jetën e përditshme, e thjeshtë, e qeshur, pastaj le ta cojë populli një grua në parlament, jo vetëm partia. Kemi parë ndryshime si dita me natën, po unë ju premtoj se do jem kjo, ndoshta pak më e thinjur dhe e plakur. Rrugë ujë dhe qendra shëndetësore, tani kërkoj që të kthehen njerëzit. Kanë ikur. Unë do bëj një fushatë të thjeshtë dhe nuk do të harxhojë aq sa do të harxhojnë sa partitë e mëdha”, premton Gerta.
*Kush është Rigerta Loku, ish-studentja e “La Sapienza” që u bë fermere në Mirditë? Studioi për shkenca politike në universitetin prestigjioz të “La Sapienza” në Romë dhe u specializua për marrëdhënie ndërkombëtare, por prapë u përball me papunësinë. Rigerta Loku u kthye në vendlindjen e saj në Rubik të Mirditës me dy diploma në duar, por asnjëra prej saj nuk i siguroi vajzës një punë. Duke iu shfaqur përpara e papërfytyrueshmja, Rigerta gjeti “ngushëllim” te bujqësia dhe blegtoria, duke ndërtuar dhe një fermë në fshatin e saj dhe sot kërkon të ndryshojën vendin aq mundësi që ajo ka.