Viti i ri akademik do të nisë këtë sezon në kushte të pazakonta, pasi për shkak të situatës së rënduar nga Covid 19, mësimi do të zhvillohet online. Pas vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve, fakultetet në kryeqytet sot do të nisin zbatimin e këtij urdhri e për pasojë janë mbyllur edhe konviktet, me qëllim frenimin e përhapjes së Covid.
Ndërkohë, studentët kërkojnë plotësimin e disa kërkesave të tyre, pas vendimit për të zhvilluar mësimin online, për herë të dytë brenda këtij viti për shkak të pandemisë së Covid-19.
Në orën 11:00, Lëvizja për Universitetin do të mbajë një protestë përpara godinës së Kryeministrisë, ku do të kërkojë përgjysmim të tarifës vjetore të studimit, një paketë sociale për qiratë, internetin, librat dhe kostot e jetesës.
Studentët pretendojnë se që prej karantinës së parë të muajit mars, kanë qenë një nga shtresat më të dëmtuara të shoqërisë dhe se qeveria nuk ka menduar asnjë çast për ta.
Për shkak të mungesës së meteve teknike, ata shtojnë se mijëra studentë e patën të pamundur ta ndiqnin normalisht procesin mësimor online dhe mijëra të tjerë mbetën të papunë, duke mos pasur mundësi të paguanin as qiratë. Ndërkohë, rreth 21 mijë studentët fillojnë vitin e parë nëe të gjithë vendin. /NOA/