Partia e sapokrijuar në Shqipëri “Nisma Thurje”, ku është bërë pjesë ish-deputetja e Partisë Demokratike, Rudina Hajdari, ka ndërtuar strategjinë e saj dhe ka ndarë detyrat kryesore para zgjedhjeve të 25 prillit 2021.
Kreu i Nismës, Endri Shabani ka zbuluar se ai është zgjedhur kryetar i partisë nga grupi nismëtar, dhe deputetja Rudina Hajdari do të drejtojë fushatën në Shkodër.
“Për shkak të formalizmit grupi nismëtar më ka zgjedhur mua si kryetar. Hajdari do të jetë kryesuese e fushatës në Shkodër dhe do të jetë kandidate atje”, – tha Shabani, duke shtuar se ai vetë nuk do të kandidojë i pari në asnjë zonë zgjedhore.
Endri Shabani deklaroi se bashkëpunimi me Hajdarin, ka nisur kur deputetja ka qenë bashkëkryetare e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore.
“Hajdari nuk ka qenë pjesë e Nismës Thurje, ka qenë bashkëkryetare e komisionit për reformën zgjedhore. Aty ka nisur edhe bashkëpunimi ynë”, – u shpreh Shabani për Report.
Lidhur me angazhimin në politikë, ai tha:
“Kemi bërë edhe një sondazh për të parë se çfarë duhet të bënim për tu futur apo jo në zgjedhje. Propozimi i qytetarëve ka qenë që duhet të futemi”.
Sakaq, Rudina Hajdari refuzoi të ndiqte deputetët e tjerë të PD-së, për të djegur mandatet dhe është aktualisht pjesë e Kuvendit, në atë që konsiderohet “opozita e re parlamentare”./NOA.al