Besart Kadia, ish-ekspert ekonomik i PD-së dhe këshilltar personal ekonomik i kryetarit të opozitës Lulzim Bashës, u emërua zëvendësministri i ri i Ekonomisë dhe Financave.
I rekrutuari i fundit nga Edi Rama, ka dhënë një intervistë për Arian Çanin.
I pyetur se çfarë mund t’i ofrojë ai qeverisë dhe Shqipërisë, Kadia ka thënë se flet shumë mirë anglisht dhe kjo mund të ndihmojë integrimin e vendin në BE, sepse ai mund të komunikojë me njerëz të huaj dhe të rëndësishëm.
“Një pikë e imja e fortë, është komunikimi në anglisht… Kjo mund të ndihmojë në integrimin në BE, diskutime me njerëz të rëndësishëm…”, – tha ai.
Analisti Arjan Curri e thumboi: Përkthyes e? Kjo është shumë pak…
Por ndërhyri Arjan Çani: Moooooos
Kadia ka shpjeguar edhe arsyet përse e pranoi ftesën e Edi Ramës për t’u bërë zv. ministër. Sipas Kadisë, Rama ka pëlqyer idetë e tij dhe ai do të shërbejë për të integruar Shqipërinë në BE.
Kadia tha se nuk i ka ndryshuar idetë e tij dhe shprehu gatishmërinë të bëhet edhe deputet, nëse Rama do ta ftojë.
“Unë dua të them, jam ekonomist, për mua idetë janë të parat, pastaj vijnë përkatësitë politike. Unë jam zv. ministër i shtetit që drejtohet nga Edi Rama. Kemi sfida për të integruar Shqipërinë në BE. Unë kam marrë përsipër të bëjë gjëra të paveshura me politikën. Kjo nuk do të thotë se nuk do të mbështes Ramën, kur jemi në të njëjtën linjë”.
“Nuk kam hequr dorë nga bindjet e mia pro biznes, pro tregut të lirë. Mendoj se Rama ka qenë konseguent, për të çuar përpara idetë. Unë nuk kam qenë dakord për shumë gjëra, por nuk jam armik me ata që mendojnë ndryshe. Përveç taksës progresive, që mendoj se është gabim, vijoj të mendoj se nuk është e duhura,“ deklaroi Kadia.
“Në rast se Rama vlerëson se idetë e mia janë të mirëpritura, patjetër që po. Kam bërë diskutim korrekt, më pëlqeu respekti që kishte për idetë e mia“, tha ish-eksperti ekonomik dhe këshilltari i Bashës, i cili 6 muaj para zgjedhjeve u bashkua me Ramën, për një postë me rëndësi te Financat./NOA.al