Një filxhan kafe në ditë është “ilaç”… kështu thonin të vjetërit vite më parë duke ngatërruar kënaqësinë dhe relaksin që merrnin nga zakoni i pirjes së kafesë. Por në fakt aroma e kafesë së freskët në mëngjes, jo vetëm që të hap sytë, por edhe të ndez shqisat e përgjumura.
Megjithatë, roli i kafesë në jetën tonë shkon përtej kësaj. Studimi më i fundit, të cilit i referohet ky shkrim, thotë se një filxhan kafeje në ditë ju ndihmon të humbisni në peshë, por edhe të mbroheni nga sëmundjet. Përpara se të vazhdoni së lexuari, duhet të dini që nuk ka asnjë formulë magjike për rënien nga pesha pa ndryshuar stilin e jetesës.
Me këtë, ekspertët thonë se të dhënat e studimit për kafenë, në asnjë mënyrë nuk nënkuptojnë që ju mund të bini nga pesha duke pirë një filxhan kafe. Por parasysh duhet të keni edhe faktin se duhet ta harroni të bini nga pesha nëse hani ushqime të pasura me yndyrë dhe nuk bëni aktivitet fizik.
Roli i kafesë në djegien e yndyrnave
Studimi, është i pari që ka zbuluar se si kafeina mund të aktivizojnë depozitat e yndyrnave të kafenjta që konsiderohen të mira. Këto yndyrna ju ndihmojnë të digjni më shumë kalori dhe të eliminoni yndyrnat e bardha e të dëmshme nga trupi. Në organizmin e njeriut gjenden dy lloj depozitash dhjamore: të mirat me ngjyrë të kafenjtë dhe të këqijat me ngjyrë të bardhë.
Yndyrnat e kafenjta janë të mira sepse e nxisin trupin të prodhojë më shumë energji për të djegur kaloritë. Yndyrnat e bardha akumulohen kur trupi ha më shumë kalori se sa djeg. Aktivizimi i yndyrnave të kafenjta shkakton disa reaksione zinxhir: trupi djeg më shumë kalori, nivelet e sheqerit në gjak ulen, kolesteroli ulet dhe kaloritë e djegura ndihmojnë në rënien nga pesha. Por hapa të tjerë për rënien nga pesha, përveç shijimit të kafesë së mëngjesit, janë: ushqyerja e shëndetshme, aktiviteti fizik por edhe gjumi cilësor. Hap tjetër i rëndësishëm, por jo i fundit për nga rëndësia, është konsumi sa më i lartë i frutave dhe perimeve dhe sa më i pakët i ushqimeve të përpunuara.
/NOA.al