Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka deklaruar edhe një herë se situata me epideminë në vend ka dalë jashtë kontrollit, ndërsa akuzon kryeministrin Edi Rama si përgjegjës për situatën e krijuar.
Në një postim në rrjetet sociale, Basha thotë se qeveria do të kishte marrë masat e duhura, nëse do të kishte dëgjuar opozitën.
Ai thekson se është nevoja të merren veprime të shpejta për të rritur testimet dhe për fonde në ndihmë të të sëmurëve.
“Numri i të sëmurëve nga Covid-19 po rritet përditë, fatalitetet po shtohen dhe kapacitetet shëndetësore po shkojnë drejt kolapsit. Rama ka humbur kontrollin mbi pandeminë, megjithëse vala e dytë ishte paralajmëruar. Po të na kishte dëgjuar, qeveria do kishte marrë masat e duhura, – shkruan kryedemokrati. – Në vend të llafeve, sot më shumë se kurrë duhen vendime dhe veprime të shpejta për të rritur testimet dhe fonde për të ndihmuar të sëmurët, shëndetësinë dhe ekonominë. Asgjë nuk është më e çmuar se jeta e njerëzve”.
Por kryeministri Edi Rama, i është përgjigjur akuzave të kryeopozitarit me një shënim në ‘Twiter’, duke theksuar se Basha ‘është kapur pas COVID, si i mbyturi pas fijes së barit’. “Pretendon se ai do ta kishte ndaluar valën e dytë, ndërkohë që nuk ndalon dot as aleaten e tij në fushatën e saj për përhapjen e Covidit”, thotë Rama.
“Lulëzim Basha është kapur pas Covidit si i mbyturi pas fijes së barit dhe pretendon se ai do ta kishte ndaluar valën e dytë, ndërkohë që nuk ndalon dot as aleaten e tij në fushatën e saj për përhapjen e Covidit! Mirë u çmendën po pse të gjithë njëherësh,thoshte Shvjeku i shkretë!”, – shkruan kryeministri. /NOA/