Kreu i qeverisë Edi Rama i është përgjigjur kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi, e cila tha sot se LSI-në nuk e zë Covid-19.
Shefi i qeverisë tha se koronavirusi është një çështje serioze. Por deklaratave të Kryemadhit, tha Rama ka zgjedhur t’i përgjigjet me ironi, teksa tha se “edhe virusi i druhet LSI-së”, por “vetëm Luli nuk e ka kuptuar këtë”.
“Është vërtet për të ardhur keq, Covid është diçka shumë serioze për të bërë humor, por kur Monika thotë që LSI nuk e zë covid, ofron një tjetër mirësi, nga mirësitë e LSI që ofronte patenta për leje drejtimi të makinave për persona nën moshën e lejuar nga ligji në formën e mirësive në këmbim të votës. Në këmbim të mirësisë tjetër, apo ofronte vende pune për infermierë që s’kishin bërë shkollën dhe nuk dallonin gjilpërën nga gozhda, apo ofronte diploma. LSI ka furnizuar me diploma në këmbim të pjesëmarrjes në ato tallavatë me tigan ku hidhen përpjetë karkalecat dhe ofrohet një e ardhmen e ndritur. Tani ofron bashkimin me LSI për të mos u prekur nga Covid duke lënë të kuptohet që edhe virusi i druhet LSI kur i afrohet. Vetem Luli nuk e ka kuptuar akoma këtë”, tha Rama.
Kryeministri shkoi dhe më tej kur përmendi se Kryemadhi “insiston që LSI nuk e zë virusi dhe shpëtimin e kërkon në kisha e xhamia, jo në shkencë”.
“Shpërthimi i kësaj injorance në mjedisin publik përmes zërit të individëve që kanë mandate përfaqësimi si kryetarë partish apo zëdhënës të një komuniteti të caktuar njerëzish është një flamë jashtëzakonisht problematike, në kushtet ku ne duhet të ballafaqohemi me ide, fakte e shifra”.
Për sa i takon akuzave të kryedemokratit Basha për situatën e rënduar të spitaleve në vend, Rama theksoi: “Spitalet janë larg të qenit në kolaps, është gati spitali Covid 4. Nuk kemi raste të shpejta, kemi strategji për vjeshtë dimrin. Është fatkeqësi që një parti që pretendon të bëhet shumicë, duke thënë se spitalet janë në kolaps”, – u shpreh Rama. /NOA/