Kryeministri Edi Rama dhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kanë vijuar edhe sot polemikat në distancë me njëri-tjetrin.
Ndërsa Rama ka vijuar debatin për raportin e Dick Marty-t për Gjykatën Speciale, Basha i është devijuar disi pyetjes, duke i përmendur kreut të qeverisë gjendjen alarmante të spitaleve Covid.
Në vijim të akuzave ndaj presidentit Meta dhe ish-kryeministrit Sali Berisha për votimin e raportit, këtë herë Rama ka përfshirë kryeopozitarin Basha, ku i adreson dhe një pyetje.
“Ilir a mund t’ia thuash shqiptarëve pse e votove pro raportin e Dick Marty, bashkë me Saliun kur ne e votuam kundër? Po ti Lulëzim a e sqaron dot çfarë dosje ke përgatitur për sajesën e Shtëpisë së Verdhë bashkë me mjekun peruan që dëshmon se ti ke mbledhur dëshmitë bashkë me të?”.
Basha e fton kryeministrin të hedhë sytë nga oborri i Infektivit, ku të infektuarit me Covid po dergjen në autoambulanca se nuk ka vend për ta.
“Edi Rama leri shpifjet dhe lojërat politike, përgjigju pse nuk e hap Covid 4? Pse të infektuarit dergjen nëpër ambulanca e nuk ka vend për ta? Pse vazhdon vjedhjen dhe i le të sëmurët të vdesin rrugëve. Pasi shkatërrove ekonominë, tani po ju merr shqiptarëve jetën dhe shëndetin”, – shkruan kryedemokrati. /NOA/