Pika doganore e Kapshticës do të qëndrojë e mbyllur nga sot (20 nëntor) deri në 4 dhjetor 2020. Kështu pra, për dy javë, pika doganore që lidh Shqipërinë me Greqinë do të qëndrojë e mbyllur për shkak të masave të marra nga autoritetet e shtetit fqinj mbi situatën e pandemisë Covid 19.
Autoritetet e Policisë Kufitare Greke, në bazë të një njoftimi zyrtar që i kanë dërguar Policisë Kufitare të Kapshticës, sqarojnë se “në zbatim të vendimit të qeverisë greke për marrjen e masave, mbi përballimin e situatës së krijuar, prej datës 20.11.2020, ora 06:00 e mëngjesit, deri në datën 04.12.2020, kjo pikë do të jetë e bllokuar”.
Sipas njoftimit të palës greke, nuk do të lejohet lëvizja e këmbësorëve dhe e mjeteve (vetura, autobusë dhe kamionë) si në hyrje dhe në dalje të Greqisë.
Ndërkohë, Policia Kufitare e Kapshticës, iu bën thirrje të gjithë qytetarëve që duan të udhëtojnë drejt Greqisë, që gjatë këtij harku kohor, të shmangin udhëtimin në drejtim të kësaj pike kalimi.
Përgjatë aksit rrugor Korçë-Kapshticë, do të ketë forca policie të cilat do të mbikëqyrin situatën dhe nuk do të lejojnë kalimin e mjeteve, në drejtim të Kapshticës. /noa.al/