Shefja e Shërbimit Infektiv në QSUT, njëherësh dhe anëtare e Komitetit Teknik, Najada Çomo, ka shpjeguar në emisionin “Opinion” vendimin për mbylljen e universitete për një muaj. Çomo u shpreh se vendimi është marrë pasi janë shtuar shumë rastet me COVID dhe universitetet shihen si një institucion risku për të përhapur COVID “Më lejo që në cilësinë e Komitetit Teknik, duke parë trendin e infektimeve u pa e udhës që për një muaj të zhvillohet mësimi online”, tha ajo
E pyetur nga gazetari Blendi Fevziu, se pse nuk është marrë i njëjti vendim dhe për lokalet dhe bare, Çomo tha se të shkosh në kafe është zgjedhje dhe e merr përsipër riskun e infektimit. “Mësimi është i detyruar ndërsa shkuarja në lokal është një zgjedhje. Kur zgjedh të shkon në një vend që që nuk mbahet maska ti ke risk që të infektohesh. Ndërsa në universitete ti shkon me detyrim dhe ke risk që të infektohesh dhe të infektosh të tjerët”, shtoi Çomo.
Lidhur me një mbyllje të dytë, shefja e infektivit u shpreh se mund të ketë një mbyllje të pjesshme nëse rriten rastet në ditët në vijim. “Shpresoj që jo, por nëse shifrat vijojnë që të jenë alarmante rrezikojmë një mbyllje të pjesshme të Shqipërisë. Mund të ketë një mbyllje të zonave që të janë më të rrezikuara”, u shpreh mjekja. Më tej Çomo u shpreh se dhe për lokalet mund të ketë një masë kufizuese. “Besoj dhe pjesa e lokaleve do ketë ndonjë veprim të dytë nga qeveria., Nuk është çështja e kontrollin se çështja e maskave dhe distancimi fizik, edhe në vende të tjera që kanë shtim rastesh shikon njerëz që mbajnë maska, ndërsa në Tiranë nuk e mbajnë”.