Loading...

Marrëveshja që i dha fund grevës së naftëtarëve/ Rama: ‘U kemi qarë hallin, si në një familje’

Është arritur një marrëveshje mes qeverisë dhe naftëtarëve grevistë, ku parashikohet një pagë prej 40 mijë lekësh për 12 muaj.

Nga kjo marrëveshje pritet të përfitojnë 870 naftëtarë. Ndërkohë 15 mijë lekë të tjera për çdo punonjës për një vit rresht do të paguhen sigurimet shëndetësore.

Në total për çdo muaj, për një vit rresht, naftëtarët do të marrin nga 58 mijë lekë, çka është pranuar prej tyre.

Marrëveshje mes qeverisë dhe naftëtarëve erdhi pas ndërprerjes së grevës që naftëtarët kishin nisur prej ditësh, ku kërkonin pagat e prapambetura dhe rikthimin në punë.

Fillimisht grevistët nuk pranonin të uleshin për të biseduar me qeverinë.

Por pas thirrjeve të kryeministrit Rama për të ndërprerë grevën, u arrit një marrëveshje.

Pas këtij takimi, Rama teksa edhe u mbyll greva, tha se “ajo që ne kemi vënë në dispozicion për 870 naftëtarë dhe punonjës të rafinerisë është pritur me shumë pozitivitet nga ana e tyre”.

“Natyrisht në këtë kohë kaq të vështirë, ku duhet të kalkulojmë si asnjë herë më parë në eksperiencës time. Nuk është e lehtë, por jemi të bindur se bëmë të duhurën. 40 mijë lek neto në mënyrë që të kenë garancinë e një page mjaftë të arsyeshme duke marrë parasysh edhe situatën që kanë kaluar”, u shpreh kreu i qeverisë.

“Kemi qarë hallin si një familje. Askush nuk do të jetë vetëm. Do bëhet për këdo që është në nevojë. Ne nuk i kemi të pakufizuara mundësit. Por ky grup i meriton. Është një rafineri që kërkon investim të konsiderueshëm. Vazhdojmë intesivisht procesin, në momentin që do jetë investitori ata nuk do kenë nevojë për mbështetjen që janë paga të konsiderueshme. Ne jemi në kontakt me tre kompani janë të mëdha dhe të rëndësishme por koha është problem”, theksoi kryeministri pas takimit të mbrëmjes së sotme./NOA.al

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com